OAK mirëpritet në takim nga shefi i grupit parlamentar të VV

 

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, Oda e Afarizmit të Kosovës dje gjatë ditës u prit në takim nga kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca.

Ky takim kishte karakter njoftues mes të dyja palëve dhe diskutimi lidhur me pengesën që u bëhet bizneseve në zhvillimin e afarizmit të tyre nga diskrepanca që ekziston mes ligjeve aktuale.
Theks i veçantë i’u vu disa çështjeve më aktuale, të cilat po shihen si problem tek bizneset, ndër të cilat u theksuan:

  • Ligji për miniera dhe minerale;
  • Pushimi i lehonisë;
  • Ligji për shoqëritë tregtare;
  • Ligji i konkurrencës. 

Kryetari i bordit Skënder Krasniqi , fillimisht prezantoi Odën, pjesëmarrësit dhe theksoi se arsye e takimit është bashkëpunimi me ligjvënësit në mënyrë që ligjet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Krasniqi theksoi se mungesa e komunikimit ka bërë që të ketë shpërputhje dhe të krijohen shumë pengesa.

Më tutje, drejtori i bordit të #OAK-së Hamdi Malushaj vuri në pah disa shqetësime të cilat po shihen nga këndi i biznesit, ku theksoi disa nga problemet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i energjisë, sektor ky i cili ka mundur të jetë zhvillues shumë i madh i vendit. Po ashtu, shqetësim tjetër u ngrit edhe fakti se duhet të merren parasysh nevojat tregut të punës gjatë orientimit në karrierë të të rinjëve, për faktin se ai si biznes përballet me mungesë të fuqisë punëtore në fushën e tij, ndërsa nga ana tjetër rinia ka shkallë të lartë të papunësisë.

Ndërsa, drejtori i bordit Hysni Zogaj, theks i vuri sektorit minerar, sektor ky që siç tha ai Kosova ka mundësi që të jetoj shumë mirë. “Duke qenë se Bujqësia dhe Minierat janë dy pasuritë kryesore në të cilat Kosova ka potencialin më të madh, OAK është e interesuar që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke rritur investimet në këto dy sfera” – u shpreh Zogaj.

z. Konjufca falënderoi Odën e Afarizmit për vizitën e bërë, dhe theksoi se e konsideron shumë të rëndësishëm këtë takim. “Duke marrë parasysh fakin se biznesi është jetik për zhvillimin e ekonomisë, ju shoh si partner dhe mundemi që të bashkëpunojmë në mënyrë që bizneset të mos dëmtohen dhe ekonomia e vendit të shënojë rritje” – u shpreh më tutje Konjufca.

Në fund të këtij takimi, të dyja palët u dakorduan për një takim të përbashkët edhe me bizneset e Odës në mënyrë që të merrën informacionet dhe inputi drejtpërsëdrejti edhe prej tyre lidhur me shqetësimet që ata kanë.

Oda e Afarizmit në këtë takim u përfaqësua nga: Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, drejtoret e bordit Hamdi Malushaj dhe Hysni Zogaj, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Qendresa Ibrahimi.