Barrierat Tregtare Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Në punëtorinë që OAK së bashku me OEMVP dhe CCIT organizoi, paneli i parë disuktues trajtoi temën “Barrierat Tregtare Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut”.

Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës theksoi që liberalizimi doganor do të krijonte lehtësira më të mëdha dhe rritje në bashkëpunimin rajonal. Krasniqi ngriti çështjen e marrëveshjes rajonale, duke theksuar që marrëveshja e CEFTA-së më shumë ka dëmtuar Kosovën ndërsa vendet e rajonit janë ato që kanë përfituar më shumë. Mosmbrojtja e produkteve vendore, ka bërë që as marrëveshja e MSA-së të mos jap ndonjë ekfekt pozitiv në shkëmbimin tregtar.

Ndërsa Nebi Hoxha nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, ka kërkuar që të ketë lehtësim dhe bashkëpunim rajonal më të madh. Hoxha si shqetësuese e cilësoi mosrregullimin e infrastrukturës rrugore nga ana e Maqedonisë së Veriut në drejtim të Kosovës, e cila do të stimulonte këmbimin tregtar.

Nagib Fejzi nga Forumi Ekonomik Mbarë Shqipëtar vendosi theksin mbi barrierat tarifore dhe jotarifore që sipërmarrjet hasin në shkëmbimet tregtare në rajon si dhe mundësitë reale në lehtësimin dhe eleminimin e këtyre barrierave.

Kurse, Bashkim Sykja nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë theksoi që mungon gjuha e përbashkët mes komunitetit të biznesit dhe qeverive, në mënyrë që të evidentohen dhe zgjidhen barrierat në pikat doganore dhe brendi të tregjeve. Mosunifikimi i tarifave doganore u cilësua shumë shqetësuese nga Sykja.

Ky panel u moderua nga Sektretari i Përgjithshëm i OAK-së, Diamant Elshani.