Bizneset në hall të madh me konkurrencën jolojale në treg

Si rezultat i shumë ankesave të bizneseve në Kosovë dhe sidave të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset, Oda e Afarizmit të Kosovës ka evidentuar dhe adresuar 14 probleme që ndërlidhen në treg, të cilat janë prezantuar sot në tryezën diskutuese “Konkurrenca jolojale në treg”.

Drejtori ekzekutiv i OAK-ut, Ismet Mulaj ka thënë se ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset e ndershme, është evazioni fiskal, mos pagimi i taksave, mbajtja e punëtorëve në të zezën, prokurimi publik, CEFTA si dhe aksionet e rrejshme për zbritje për mashtrim të konsumatorëve. Të gjitha këto, sipas Mulajt paraqesin konkurrencën jolojale në treg.

Ai ka shtuar se edhe mos fiskalizimi mbetet një sfidë tjetër, ku sot thuhet se 40 përqind e bizneseve në Kosovë janë ende të pa fiskalizuara ku bëjnë pjesë edhe naftëtarët. Mulaj ndër të tjera kërkoi të trajtohen njësoj investitorët vendorë me ata të huaj dhe Kosova duhet me krijuar një treg të barabartë, për secilin biznes, sepse sipas tij, vendi nuk është një ishull i izoluar.

Fatime Haziri anëtare e Bordit të Komisionit Kosovar të Konkurrencës tha se me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm në ekonominë e tregut të Kosovës, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin dhe çrregullojnë konkurrencën në vend, ligji i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.

Haziri tha se janë duke hetuar trembëdhjetë sektorë të ndryshëm që veprojnë në tregun e Kosovës dhe së shpejti do dal me raportin final. Ajo ka shtuar se janë duke hetuar edhe tregun e lojërave të fatit, tregun e minierave dhe mineraleve, tregun e pajisjeve fiskale, tregun e furnizimit me ujë dhe tregun e mbeturinave.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha theksoi se ka korrupsion nëpër institucione private dhe publike, si dhe politika jo adekuate fiskale, të cilat e bëjnë konkurrencën jo fer në treg, krejt kjo ndoshta sipas tij, për shkak se sundimi i ligjit nuk është në nivel të duhur. Ai ka shtuar se Kosova ende nuk i ka definuar krejt kufijtë, edhe me dy vendet fqinje të Kosovës, Malin e Zi dhe me Serbinë, që në baza ditore Dogana, Policia kufitare dhe institucione tjera zënë kalime ilegale të mallrave dhe deklarime të rrejshme.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se është i kënaqur që ka një bashkërendim sot në këtë tryezë që të përmirësohet gjendja e bizneseve. Ai deklaroi se si industri problemin më të madh e kanë të eksportojnë prodhimet tyre në Zvicër dhe Maqedoni për shkak të barrierave të ndryshme jotarifore.

Ndërsa, Shaban Muja prodhues i alimeniumit i cili theksoi se është eksportues dhe konkurrues në shtetet perëndimore, por në Kosovë nuk arrin të bëjë konkurrencë për të cilën tha se e ka të pamundur nga autoritetet e Kosovës. Muja, shtoi se në fabrikë ka të punësuar 50 punëtorë, mirëpo tregon se po të kishte treg fer në Kosovë do të shtonte numrin e të punësuarve deri në 200. Ai ka shtuar se me politikat e gabuara nga Dogana, Autoriteti i Konkurrencës dhe MTI po e detyrojnë të mendon edhe ta mbyllë fabrikën në Kosovë.

Drejtoresha e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Sytrime Dervisholli, tha se pa dashur me filluar me negativitet për CEFTA-në, kjo ka qenë një e keqe e ardhur më herët, kur autoritetet e Kosovës nuk kanë pasur shumë kompetenca. Dervisholli tha se ka shembuj të ndryshëm ku aktualisht disa masa janë në fuqi, kryesisht ndaj shtetit të Serbisë, kanë qenë edhe ndaj Sllovenisë për produktet e ndryshme. Ajo shtoi se kanë bërë hulumtime edhe te sektori i vezëve, tek bllokat ndërtimor dhe është duke u punuar në këtë aspekt. Sipas saj, Departamenti i Tregtisë bënë adresimin e barrierave tregtare jo vetëm në raport me vendet tjera, por gjithashtu edhe me barrierat që bizneset mund t’i kenë në raport me institucionet e tjera vendore që kohëve të fundit ka një numër të shtuar.

Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik theksoi se duhet të ndërrohet qasja e institucioneve publike në raport me biznesin që biznesi të shihet një partner strategjik i këtij vendi.

Ai tha se është shumë i vetëdijshëm për pozitën e bizneseve të rëndë në treg, për problemet që lidhen prej informaliteti, invazionit fiskal, si dhe problemeve që i kanë me prokurimin publik. Mirëpo, në kuptimin e disiplinimit, Hoxha tha se janë munduar që në secilin hap në këto procedura për shpenzimin e taksave të qytetarëve ta vendosin në dispozitë juridike.

Valdet Gjinovci, kryeshefi i AUV theksoi se problemet të cilat paraqiten qoftë në import dhe në eksport të produkteve, në bashkëpunim me MTI do të mundohen t’ju japin përgjigje dhe t’ju ofrohet ajo që kërkohet dhe që është obligim ligjor dhe institucional nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Në këtë tryezë shqetësimet e tyre për tregun e Kosovës, kanë paraqitur edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve, të cilët kërkuan të ndërmarrin masa autoritetet përkatëse./KosovaPress/