Ministri i Diasporës z. Dardan Gashi priti në takim një delegacion të Odës së Afarizmit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i bordit z. Skënder Krasniqi, sekretari z. Diamant Elshani, anëtari i bordit z. Hasan Gigollaj dhe drejtori ekzekutiv z. Ismet Mulaj me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim z. Krasniqi e uroj Ministrin Gashi për detyrën e re dhe i dëshiroj suksese në punën e tij. Duke e njoftuar për veprimtarinë e Odës, aktivitetet dhe të arriturat e saj, ai theksoi se OAK-u është ndër Odat më funksionale në vend për aq kohë sa operon.

Gjatë këtij takimi u ngritën disa çështje që po krijojnë probleme dhe sfida për të operuar bizneset në vendin tonë, z. Krasniqi vuri në pah nevojën e një ligji të veçantë për investimet e diasporës, në mënyrë që të tërheqim investitorët dhe të stimulohen ata, gjithashtu si shqetësime u ngritën edhe çështja e Kartonit të Gjelbërt, i cili po paraqet problem në vete dhe mungesa e ofertave për bizneset që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë.

Ministri Gashi theksoi se Diaspora paraqet një faktor shumë të rëndësishëm për vendin tonë, për vet faktin se rreth 2/3 e të hyrave i kemi nga ata. Ai po ashtu theksoi se edhe për çështjen e Kartonit të Gjelbërt janë duke punuar në atë drejtim, është problem të hiqet fare, por janë duke u munduar të paktën me u thjeshtësu procedura deri tek pajisja me të.

Z. Gashi gjatë takimit tha se ligji për Investimet Strategjike përfshinë edhe pjesën e diasporës dhe me marrjen e statusit të Investuesit Strategjik largohen automatikisht të gjitha barrierat. Ai po ashtu shtoi se janë në bisedime e sipër me një investitor nga Gjermania, që i përket fushës së energjisë së erës.

Në këtë takim të dyja palët u shprehën të gatshme për bashkëpunim të afërt dhe u pajtuan se është shumë e rëndësishme që të ndërtojmë marrëdhënie bashkëpunimi së bashku me komunitetin e Diasporës si faktor shumë i rëndësishëm në fushën e ekonomisë së vendit.