Ndaljet e shpeshta të energjisë elektrike paparalajmërim, problemet ligjore dhe masat anti-damping, janë tri nga problemet që rrezikojnë mbylljen e kësaj fabrike  të cilat po shkaktojnë  humbje të jashtëzakonshme, u tha sot gjatë takimit që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) pati në fabrikën Art Aluminium.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi arsyet e vizites së Odës lidhur me problemet e shumta që ka kjo fabrikë viteve të fundit, me energji elektrike, problemet ligjore dhe probleme të tjera të cilat po e përcjellin kompaninë tash e një kohë.

Në kontinuitet ne kemi bërë kërkesa tek institucionet dhe dëshirojmë të informohemi më për së afërmi me ju lidhur me reagimet e tyre ndaj kërkesave që Oda i ka drejtuar tek këto institucione dhe kërkesat e juaja që keni drejtuar drejtpërdrejt, tha Krasniqi.

Ndërsa pronari i Fabrikës Art Aluminium Shaban Muja, falënderoi Odën e Afarizmit të Kosovës që i ka qëndruar pranë në çdo aspekt, me kërkesat që i kanë bërë të gjitha institucioneve relevante të Kosovës.

Muja potencoi se fabrika e tij ka probleme të mëdha me energji elektrike si shkas i reduktimeve të shpeshta, duke shtuar se paguan deri në 3000 euro në muaj energji elektrike dhe përsëri ndërprerjet janë vazhdimisht prezente. Ai shtoi se në rastet kur nuk paguan energjinë elektrike vetëm një muaj, KEDS menjëherë fillon me procedurat e çkyçjes.

Avni Halimi theksoi se ka raste kur paralajmërohen nga ana e KEDS-it që do të ndalet rryma dhe ata ndërpresin makinerinë ndërsa rryma nuk ndalet, kjo ndikon që fabrika të mbetet pa prodhim pasiqë makinerive i’u duhen së paku katër orë të arrijnë temperaturën prej 480˚. Ai theksoi që këtë javë kanë punuar vetëm dy ditë si shkas i këtij problemi dhe se janë duke punuar pa fitim.

Pronari i Art Aluminium përmendi edhe problemet me taksën doganore dhe TVSH-në, e cila po dëmton bizneset vendore ndaj atyre të huaja, duke pas parasysh faktin që nëse lënda e parë importohet bizneset nuk obligohen t’i paguajn ato, ndërsa nëse blihet në Kosovë duhet të paguaj TVSH-në.

Në fund të takimit Krasniqi tha se janë duke i vizituar bizneset dhe problemet janë të jashtëzakonshme, por do të vazhdojmë të kërkojmë prej Qeverisë të shqyrtoj çdo rast sepse e vetmja mënyrë për të rritur punësimin dhe buxhetin e Qeverisë së Kosovës është që ligjet të jenë në përputhshmëri me kërkesat dhe nevojat e bizneseve.  

 

Shpërndaje: