Grainca premton zgjidhjen e problemit të operatorëve kabllorë në Ferizaj

 

Problemet e Operatorëve Kabllorë me të cilat po përballen tash e sa vite dhe për të cilat nuk kanë arritë ende një zgjidhje ishin tema kryesore e takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Operatorëve Kabllorë me Koordinatorin për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Ferizajit, njëherësh dhe Zëvendësministër i Financave, z. Mustafa Grainca.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi që prioritet i OAK-së është identifikimi i problemeve te të bërit biznes dhe mundësive të përmirësimit të tyre së bashku me institucionet përgjegjëse. Krasniqi shtoi që OAK ka realizuar disa takime me operatorët, me të vetmin qëllim, sigurimin e zgjidhjes më të favorshme për të gjitha palët, e që njëkohësisht nënkupton edhe zgjidhjen e këtij problemi.

Zëvendësministri i Financave, njëkohësisht edhe Koordinatori për Zhvillim Ekonomik në komunën e Ferizajit Mustafa Grainca falënderoi Odën dhe përfaqësuesit nga Operatorët Kabllorë Ipko dhe OrangeNet për vizitën duke shtuar që Komuna e Ferizajit është e interesuar të zgjidhë problemet me të cilat përballen bizneset.

Vedat Morina drejtor gjeneral në OrangeNet veçoi sfidën kryesore me të cilën po përballen operatorët kabllorë në komunen e Ferizajit që disa vite e që kanë të bëjnë me vendosjen e ndriçimit publik pa standarde. Ky ndriçim po interferon në frekuencat e të gjithë operatorëve dhe po ndikon në ulje të cilësisë së shërbimit të internetit dhe kabllovikut tek qytetarët dhe klientët e tjerë. Morina shtoi që për këtë problem kanë realizuar takim me Drejtorin e Shërbimeve Publike të Komunës së Ferizajit tash e sa kohë dhe kanë arritë në një zgjidhje të pranueshme, e cila ende nuk ka filluar të implementohet. Morina theksoi që tani në bashkëpunim me OAK-në beson se do të arrijnë të shtyejn para këtë problem deri në zgjidhje të tij.

Sipas Arben Sylejmani projektmenaxher i Ipko-së për Komunën e Ferizajit, përveç vendosjes së ndriçimit publik pa standarde, operatorët po përballen edhe me problemin e shfrytëzimit të hallkave nga kontraktori për ndriçim publik. Ky përdorim i hallkave po shkakton elektrizim në rrjetën e operatorëve dhe po ndikon në dëmtimin e pajisjeve dhe lëndimin e punëtorëve. Ai theksoi që bashkëpunojnë me KEDS për 11-të vite dhe se deri më tani nuk kanë has një problem të tillë, pasiqë të gjitha palët i kanë respektuar distancat e vendosjes së hallkave në shtylla të energjisë elektrike.

Në fund të këtij takimi, Grainca premtoi se do të bartë këtë rast tek kryetari i Komunës së Ferizajit Agim Aliu dhe se do të punoj në zgjidhjen e tij, pasiqë Ferizaji është i interesuar të ketë rrugë me ndriçim publik dhe në të njejtën kohë të ketë edhe shërbime kabllore cilësore.

Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi dhe zyrtaret Mirjeta Shala dhe Rreze Cana. Ndërsa, nga bizneset anëtare Ipko u përfaqësua nga Kamer Hoti, projektmenaxheri në Ferizaj Arben Sylejmani, eksperti i elektrikës Skënder Sejdiu dhe Nusret Kuka, OrangeNet u përfaqësua nga drejtori gjeneral Vedat Morina dhe menaxheri i Ferizajit Abedin Mulaku