Krasniqi: Rritja ekonomike prej 4.2 % nuk paraqet gjendjen faktike në Kosovë

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ishte i ftuar në emisionin “Ekonomiks” në RTK, ku foli për gjendjen ekonomike në Kosovë. Ai e përshkroi vitin 2019 si vit jo të mirë për ekonominë e Kosovës. Për rritjen ekonomike prej 4.2 për qind ai tha se kjo shifër nuk e paraqet gjendjen reale në Kosovë.
“Fatkeqësisht kjo rritje ekonomike duke marrë parasysh gjendjen ekonomike që e kemi në vendin tonë është më e vogël se një rritje prej 0.1 përqind të një shteti tjetër, sepse gjendja jonë gjatë këtyre viteve jo që nuk është përmirësuar por vetëm është përkeqësuar dhe ky vit sikur vitet tjera është vazhdim jo i zhvillimit dhe suksesit, por i dështimit të qeverive tona për ta arritur një mirëqenie më të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai tha që zhvillimet politike në vitin 2019 në Kosovë, ndikuan negativisht në ekonominë e vendit dhe po ashtu theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga pala kosovare, ajo e MSA-së dhe e CEFTA-s kanë ndikuar vetëm negativisht në ekonominë e vendit. Më tej ai potencoi që këto marrëveshje duhet të nënshkruhen, por para se të bëhet një gjë e tillë duhet të studiohen detajisht dhe të nënshkruhen gjithmonë në bashkëpunim me bizneset në vend.
“Marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, si MSA-ja, sikur CEFTA, kanë ndikuar negativisht në zhvillim ekonomik edhe pse të gjitha shtetet që i kanë nënshkruar këto marrëveshje kanë pasur një zhvillim të hovshëm ekonomik, sepse i kanë nënshkruar kujdesshëm dhe në bashkëpunim me bizneset duke i mbrojtur produktet e veta gjë që nuk e ka bërë Kosova”, tha ai.
“Kosova po vazhdon të jetë në CEFTA me zero mbrojtje të produkteve të veta, po vazhdon të jetë në MSA e cila ka ndikuar vetëm në rritje të importit. Gjatë këtyre 5 vjetëve kemi rritje prej 1860 përqind rritje të importit në krahasim me eksportin, pra kemi rritje rreth 1 miliardë të importit dhe rreth 40 milionë të eksportit që tregon një gjendje të tmerrshme të mos zhvillimit tonë ekonomik”.

Tutje, Krasniqi foli edhe për taksën 100 % për produktet e Serbisë dhe Bonje Hercegovinës për të cilën tha se e ka përshendetur, por që sërish është bërë në nguti dhe pa u konsultuar me bizneset në vend.
“Nuk do të duhej të merrej aq shpejt vendimi pa u analizuar me bizneset në Kosovë për të parë efektet dhe kundër-efektet. Vendimet Qeveria nuk duhet t’i marrë pa komunikim të mirëfilltë me biznese. Fatkeqësisht të gjitha vendimet i kanë marrë deri tash pa komunikim me biznese, gjë për të cilën është përgjegjës edhe biznesi, sepse nuk jemi aktiv mjaftueshëm në skenën ekonomike të zhvillimit, marrë parasysh që 80 % e të hyrave ekonomike në Kosovë vijnë nga bizneset”.

Krasniqi përmendi edhe punën që e ka bërë Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë vitit 2019 dhe theksoi se bizneset duhet të jenë më të zëshme në të drejtat e tyre.
“Për shumë probleme tjera jemi edhe ne përgjegjës si biznese, sepse nuk kemi reaguar mjaftueshëm dhe nuk kemi bërë presion të mjaftueshëm që këto të ndryshohen dhe kjo ka ndikuar që të mos ketë rritje ekonomike dhe që qeveritë e Kosovës të marin vendim që ta stabilizojnë buxhetin e shtetit, por që është bërë në kurriz të bizneseve dhe qytetarit.
Vendimi i fundit për taksat komunale që të paguhen deri më 31 shtator që është në kundërshtim me ligjin i cili është  vendim i Ministrisë se Financave, tregon se këta marrin vendime edhe në kundërshtim me ligjin kur iu duhet, pra pavarësisht se ato vendime a ndikojnë pozitivisht apo negativisht në zhvillimin ekonomik”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu përmendi edhe Ligjin për Investime Strategjike në Kosovë për të cilin tha se  ka fazat më burokraktike, sepse sipas tij asnjë biznes nuk mund t’i plotësojë kushtet e këtij Ligji i cili kushtin minimal për investim e ka 10 milionë euro, gjë e cila është e pa përballueshme për sipërmarrësit në Kosovë. I pyetur nëse Kosova do të duhej të bëhej pjesë e Mini-shengenit Ballkanik, Krasniqi tha se kjo do të mund të ishte një goditje tjetër për ekonominë në Kosovë, në rast se vendi nuk implemendon një strategji të zhvillimit ekonomik, para se të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje të nivelit ndërkombëtar.
“Kosova do të duhej të krijonte një strategji të zhvillimit ekonomik. Jemi i vetmi vend që nuk kemi strategji reale të zhvillimit ekonomik. As në bujqësi, as në tregti, as në turizëm, as në prodhim, pra jemi duke ecur si një anije e madhe në mes të oqeanit pa drejtim. Të gjitha vendet tjera kanë krijuar strategji e oferta për punë që ne nuk i kemi, kanë tërhequr investime strategjike si pasoje ligjit të mirë për investime strategjike dhe politikave të mira zhvillimore”, theksoi Krasniqi.
Ai ka marrë shembuj të vendeve të rajonit për mënyrën se si ato e kanë përpiluar strategjinë për zhvillim dhe për rezultatet që ajo ka dhënë.
“Maqedonia për shembull në aspektin e bujqësisë ka bërë 4 produkte strategjike me të cilat sot ka eksport të jashtëzakonshëm dhe ndikim në tregun e jashtëm, ka marrë duhanin si investim strategjik, ka arritur ta sjellë fabrikën e Marlboros, ka arritur eksport të jashtëzakonshëm të verërave”.
Në fund ai ka thënë se Maqedonia ka arritur në 6 miliardë eksportin dhe 8 miliardë importin ndërsa Kosova 3 miliardë e gjysmë import, 350 milionë eksport.
“Ku është MSA-ja, çfarë efekti ka dhënë? Nuk jam kundër nënshkrimit të këtyre marrëveshje por po them që para se të nënshkruhen të ketë negocim të jashtëzakonshëm me vite se çka do të mbronim e çka jo”, tha Krasniqi.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në këtë link: https://bit.ly/2QzV8TX