Xhevat Muqa nga Muqa Solar Company , gjatë takimit “Kafja e mengjesit” që OAK pati me bizneset në Suharekë, theksoi rëndësinë e inkuadrimit të nxënësve në pjesën e punës praktike, duke veçuar që përderisa bizneset nuk bëjnë një marrëveshje me shkollën e mesme teknike ‘Skënder Luarasi’ për ata nxënës dhe atëherë ata nuk joshen qoftë edhe më një 50 apo 100 euro pagë në fund të muajit, do ta kemi shumë problem që ata nxënës t’i marrim dhe ta bëjnë praktikën sikur në vendet evropiane.

“Ne jemi në fazën fillestare por kjo është një çështje administrative që duhet të rregullohet, në mes të Kuvendit Komunal, bizneseve por gjithashtu do të ishte mirë që kjo të shkonte përmes shoqatës, sepse shoqata e di saktësisht se cila kompani është mirë të ketë praktikantë e cila jo. Ka hapësirë shumë të madhe për të intervenuar në ligj.

Arsyeja se përse nxënësit nuk janë të përgjegjshëm është sepse ne nuk kemi mundësi t’u themi se ligji iu obligon të vini në praktikë, ashtu siç shkoni në shkollë. Pra, këtu nuk kemi mbështetje”, tha ai.

“Neve po na ikin të rinjtë, duke e parë që në Kosovë nuk ka potencial. Është e gabuar sepse edhe në Kosovë ka potencial, por ne duhet të punojmë në këtë drejtim që me të vërtetë t’i joshim ata nxënës në mënyrë që të jenë të obliguar të vijnë në praktikë”, ka përfunduar Muqa.