Ngërçi politik në Kosovë i dëmshëm për bizneset

Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në Odën e Afarizmit të Kosovës, Astrit Halili në një prononcim për Euronews Albania tha se ngërçi politik që e ka kapluar Kosovën po e dëmton shumë ekonominë e vendit. Sipas tij, bizneset në vend momentalisht nuk kanë se ku t’i adresojnë problemet e tyre.
“Në takimet që kemi pasur me pronarët e bizneseve shumë prej tyre kanë thënë se me këtë ngërç politik që është krijuar, ata nuk po kanë se ku t’i adresojnë problemet e tyre. Në një mënyrë ata kanë mbetur si jetimë, pa përkujdesje institucionale”, u shpreh Halili.
Tutje, ai ka thënë se shume pronarë biznesesh janë ankuar për ikje të fuqisë së tyre punëtore nga Kosova.
“Ky ngërç ka dekurajuar edhe qytetarët dhe kjo është manifestuar me ikje të shumë prej tyre nga Kosova. Bizneset po ankohen se fuqia e tyre punëtore po largohet. Ata po thonë se shumë prej punëtorëve që i kanë, janë në pritje të vizave për t’u larguar nga Kosova”, tha Halili.
I pyetur për pasojat, në rast të mos miratimit të Projektligjit për Buxhet ai tha se më së shumti do të prekej sektori publik, punonjësit e të cilit nuk do t’i merrnin pagat, por gjithashtu sipas tij vetëm sa do të thellohej kriza dhe do të krijohej një lloj paniku në mesin e qytetarëve. Në fund ai përmendi edhe hezitimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.
“Jo stabiliteti politik në një mënyrë i ka frikësuar edhe investitorët e huaj, të cilët kanë investuar në vendet fqinje si në Maqedoni ose Serbi ngase atje u janë krijuar kushte më të mira për të bërë biznes”, përfundoi Halili.