OAK ankohet në MTI për barrierat që po i shkaktojnë vendet fqinje biznesit tonë

Një delegacion i OAK-ut, i kryesuar nga drejtori i Bordit, z. Skender Krasniqi, drejtori ekzekutiv z.Ismet Mulaj, si dhe zyrtarja për komunikim me biznese, znj. Donika Gashi, patën një takim në MTI, ku u pritën nga ministri, z. Valentin Toci me bashkëpunëtor.

z. Krasniqi e njoftoj ministrin Toçi për të arriturat e OAK-ut si dhe problemet me të cilat po ballafaqohet biznesi vendor, sidomos për problemet që po i shkaktojnë vendet rajonale. Po ashtu, z. Krasniqi e bëri me dije ministrin Toçi edhe për sfidat që i ka biznesi për të investuar në Kosovë, sidomos mungesën e infrastrukturës dhe problemet për qasje në energji elektrike. Ndërsa, z. Mulaj, përmendi si shqetësim problemet që ka biznesi me Serbinë dhe Maqedoninë. Serbia po e bllokon me barriera jo tatimore peshkun e Kosovës, ndërsa Maqedonia po i bllokon produktet me origjinë shtazore.

Ministri Toçi e përgëzoj OAK-un për punën që është duke e bërë në të mirë të ndërtimit të një ambienti më të mirë për të bërë biznes në Kosovë dhe i premtoj delegacionit të OAK-ut se me urgjencë do të merren në trajtimin e rasteve të ngritura.

Po ashtu si shqetësim i përbashkët u përmend marrëveshja e CEFTA-së, e cila biznesit vendor po i krijon shumë problem.
Të dyja palët u pajtuan që OAK-u e ka vendin në Komitetin për Zhvillim Kombëtar, vend ku debatohet për interesin e biznesit.