OAK dhe Komuna e Prishtinës me takime të rregullta mujore

 

Problemet e të bërit biznes, mundësitë e përmirësimit të klimës së të bërit biznes dhe funksionalizimi i Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Komunës së Prishtinës ishin disa nga temat e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të OAK me Nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Selim Pacolli dhe Auditorin e Brendshëm Osman Bllaca.

Kryetari i bordi të OAK-së Skender Krasniqi prezantoi aktivitetet e realizuara nga Oda deri më tani, ku u theksuan problemet e mëdha të të bërit biznes qoftë në nivelin qendror apo lokal.

Krasniqi shtoi që mungesa e Ligjit për Tregti të Brendshme është shumë e theksuar pasiqë ky ligj do të rregullonte të bërit biznes në Kosovë.

Nënkryetari i bordit të OAK-së Arsim Selmonmusaj u fokusua më shumë në problemet me të cilat po përballen bizneset në Komunën e Prishtinës.

Nënkryetari Pacolli lavdëroi punën e OAK-së, duke shtuar që po merret me probleme reale të të gjitha bizneseve vendore, duke mos u fokusuar në grupe specifike. Ai shtoi që Komuna e Prishtinës është e interesuar të jetë krah i odës në zgjidhjen e problemeve të bizneseve.

Nisur nga fakti që një pjesë shumë e madhe e bizneseve janë të fokusuara në Komunën e Prishtinës, duke qenë qendra më e madhe e vendit, OAK dhe Nënkryetari Pacolli u pajtuan që në kuadër të memorandumit për bashkëpunim të realizohen takime mujore ndërmjet OAK-së dhe Komunës së Prishtinës, pasiqë kështu do të arrihet më lehtë deri tek identifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, nënkryetari i bordit Arsim Selmonmusaj, pronari i biznesit anëtarë Buka Prej Gurit Lavdim Gashi dhe zyrtaret Qendresa Ibrahimi dhe Mirjeta Shala.