Oda e Afarizmit të Kosovës është e shqetësuar me publikimin e të dhënave nga @agjenciaestatistikave Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), për deficit tregtar më të lartë për muajin gusht 2019 për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë, për 1.2% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 279.9 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 276.5 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.2%.

#OAK shpreh shqetsimin për ngecjen në zhvillimin ekonomik tregtar, në vend që të krijohen mundësi më të mira për zhvillim ekonomik të Kosovës, zhvillimi po ngecë, po krijohet degradim ekonomik gjë që ndikon në mirëqenien e gjithëmbarshme.

Më poshtë mund të shihni shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së, vendet e CEFTA-s dhe vendet tjera të botës:

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë Euro, ndërsa importi 311.8 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe një rritje prej 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Ndërsa eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.1 milionë Euro, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.3%).

Derisa importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160.0 milionë Euro, ose 51.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0%), Greqia (7.0%), Italia (6.6%), Bullgaria (4.1%), Polonia (3.6%), Sllovenia (3.6%), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2019 arritën në 13.8 milionë Euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-10.4%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.5%), Maqedonia (9.9%), Serbia (8.5%), dhe Mali i Zi (4.5%).

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2019, arritën në 47.2 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-47.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7.1%), Maqedonia (7.1%), dhe Serbia (0.1%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 28.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (15.4%) dhe Zvicra (8.2%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 104.5 milionë Euro, ose 33.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.5%) dhe Kina (10.4%).

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK): http://ask.rks-gov.net/…/agjencia…/ekonomi/tregtia-e-jashtme.