OAK i ofron mbështetje Ministrisë së Mbrojtjes

 

Mbështetja nga bizneset për ushtrinë me produkte ushqimore apo veshmbathje dhe çështje të tjera, ishin qëllimi i takimit në mes të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

 

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi përgëzoi Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, z.Rrustem Berisha për formimin e Ushtrisë, duke ofruar bashkëpunim dhe përkrahje në çdo fushë ku shihet e nevojshme në mes FSK-së, OAK-së dhe bizneseve.

 

Hysni Zogaj anëtar i bordit në OAK, falënderoi Ministrin për takimin, uroi për formimin e ushtrisë dhe theksoi si çështje shumë të rëndësishme futjen e lëndës ‘Mbrojta dhe Siguria’ në planprogramin universitar publik dhe në atë privat. Gjithashtu theksoi se OAK është e gatshme të ofroj çdo ndihmë që FSK ka nevojë nga ana e bizneseve çoftë me produkte ushqimore apo veshmbathje.

 

Sekretari i bordit të OAK-së, Diamant Elshani propozoi që të rregullohet Ligji i Prokurimit Publik në mënyrë që të stimulohen prodhimet vendore me kualitet të lartë.

 

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e biznesve anëtare të Odës, z.Afrim Berisha nga Qumështorja Bylmeti dhe z.Qëndrim Kryeziu nga  ISP Broadcast, të cilët theksuan se bizneset janë të gatshme të paguajnë një taksë prej 2-3% për ushtrinë e Kosovës.

 

Kryeziu gjithashtu propozoi që të themelohet një televizion, ku ushtria dhe policia e Kosovës të informojnë qytetarët për aktivitetet e tyre në mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.

 

Ministri Rrustem Berisha u shpreh i nderuar për vizitën e OAK-së dhe ofrimin e bashkëpunimit nga ana e tyre të cilën e konsideroi si shumë të rëndësishme, ngaqë me formimin e ushtrisë e presin përgjegjësi të mëdha, andaj bashkëpunimi i dyanshëm është i domosdoshëm për tu fokusuar në misionin dhe realizimin e pritjeve të qytetarëve gjatë këtij rrugëtimi.

 

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi -kryetar i bordit, Diamant Elshani – sekretar i bordit, Hysni Zogaj -anëtar i bordit, Qendresa Ibrahimi dhe Doruntina Gashi zyrtare, ndërsa nga bizneset të pranishëm ishin Afrim Berisha – Qumështorja Bylmeti dhe Qëndrim Kryeziu – ISP Broadcast.