OAK i prezenton Kryetares së Kuvendit gjendjen e rëndë të biznesit

Vështirësitë e bizneseve si pasojë e pandemisë, përfshirja e kërkesave të bizneseve në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, krijimi i Komisionit Parlamentar, i cili do të trajtoj çdo ligj dhe të bëjë harmonizimin mes tyre në mënyrë që të njejtat të mos bien në kundërshtim me njëra tjetrën, kërkesat e OAK-së për ndryshim/plotësimin e disa ligjeve specifike,  përkrahja nga ana e shtetit dhe ulja e normës së interesit nga BQK, ishin disa nga pikat kyqe të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i diskutoi gjatë takimit të sotëm me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Përgjatë këtij takimi OAK i shprehu shqetësim Kryetares për gjendjen e rëndë të të bërit biznes si rezulat i pandemisë dhe mos reagimit të Kuvendit në përputhje me këtë gjendje e cila po rezulton me largim masiv të punëtorëve, falimentimin e biznesit dhe ulje të madhe të buxhetit të shtetit.

Si rezultat i kësaj OAK bazuar në vizitat e vazhdueshme që po i bënë në teren dhe aktivitetet e saj i shpalosi kërkesat e bizneseve duke kërkuar nga Kryetarja, ashtu siç është duke kërkuar nga çdo institucion tjetër shtetëror, që të trajtohen me urgjencë këto kërkesa.

OAK theksoi faktin se Ligji aktual për Rimëkëmbje Ekonomike nuk i zgjidhë problemet e bizneseve. Për këtë arsye OAK, ka dërguar edhe rekomadimet të cilat i kemi bërë në kordiminim me sektorin e biznesit. Këto rekomandime i kemi dërguar disa herë me radhë në institucionet përkatëse si në Qeveri ashtu edhe tek deputetët, të cilat i kemi shpërndarë në mënyrë fizike, përmes postës elektronike, postës fizike e të cilat deri më tani nuk janë marrë në konsideratë.

Anëtari i bordit Hamdi Malushaj, potencoi faktin se nuk mund të krijohen ligje për bizneset e pa prezencën e bizneseve.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi OAK-në për takimin dhe ngritjen e këtyre shqetësimeve dhe ishte e njëmendimi, se secili ligj i cili bëhet duhet të jetë në dakordim me sektorin përkatës i cili do të afektohet nga ligji në fjalë.

Gëzim Selimi nga Industria e mishit “Calabria”, kërkoj mbështetje nga ana e shtetit për bizneset prodhuese. Selimi, theskoi poashtu se gjendja në terren nuk është aspak e mirë dhe se një numër i madh i qytetarëve tanë po mbesin të pa punë.

Në kuadër të këtij takimi u diskutuan edhe problemet e pagimit të TVSH-së për lëndën e parë kur ajo blehet brenda vendit dhe kërkimi i mëpastajmë për rimbursim, përderisa kur blehet jashtë vendit nuk paguan TVSH. E poashtu u trajtua edhe problemet për pushimin e lehonisë me ҫ’rast bizneset po detyrohen të paguajne dy paga për një vend pune e që një praktikë e tillë nuk është në asnjë vend të rajonit.

Nga ky takim me kryetaren e Kuvendit pas kërkesës së OAK – së u dakorduam që gjatë javës së ardhshme të organizohet një takim i veҫantë  në Parlamentin e Kosovës dedikuar vetëm biznesit. Të ftuar në këtë takim do të jenë deputetët e Republikës së Kosovës,vetë Kryetaria e Kuvendit,  së bashku me Odat dhe bizneset.

OAK gjatë ditës së nesërme do të i përcjellë të gjitha këto kërkesa të detajuara edhe me shkrim tek Kryetarja e Kuvendit.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari i bordit Hamdi Malushaj, Qëndresa Ibrahimi koordinatore, Gëzim Selimi nga Industria e mishit “Calabria” , dhe Fjolla Smaili zyrtare për marrëdhënie me publikun.