OAK kërkon që pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti

 

Ligji i punës, pushimi i lehonisë dhe problemet tjera të të bërit biznes ishin ndër çështjet për të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës ka zhvilluar takime me krerët qeveritarë dhe institucionet e Kosovës.

Po ashtu gjatë vitit 2018, OAK ka organizuar takime me gratë afariste dhe gra të skenës politike ku u dakorduan të japin kontributin e tyre në sektorin e grave afariste.

Në kuadër të takimeve të përbashkëta, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi një tryezë me gratë afariste, ku u diskutua për sfidat e shumëta të të bërit biznes, duke përfshirë edhe Ligjin e punës, respektivisht ligjin e lehonisë, i cili konsiderohet si një ligj me interes për mbarë shoqërinë.

Gjatë këtij takimi u vunë në pah shumë ankesa në ligjin aktual dhe u kërkua që ky ligj të ndryshohet, për vet faktin se dispozitat e tij bëjnë që femrat të jenë të diskriminuara, duke detyruar që bizneset private të fillojnë të jenë më selektive gjatë procesit të rekrutimit, pasiqë kjo po mbetet barrë e rëndë për bizneset.

Ligji për pushimin e lindjes, shihet si një instrument i rëndësishëm për të ndihmuar femrat në ndërtimin e karrierës. Oda është e përkushtuar që të përkrahë fuqizimin e grave afariste dhe si rrjedhojë e kësaj edhe ka formuar sektorin e grave afariste në OAK.

Gjatë këtij takimi në bashkëbisedim me gratë afariste, OAK del me disa nga rekomandime:

1. Pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, për 12 muaj.

2. Fillimisht në periudhën prej 30 ditësh para lindjes së fëmijës femra të mund të marr pushimin e lindjes dhe kjo periudhe 30 ditëshe të mbulohet nga biznesi 100% të pagës aktuale;

3.Po ashtu, të lihet opsion që nëna në rast se dëshiron mund të vazhdojë pushimin edhe për 3 muaj të tjerë, në këto raste pushimi të jetë pa pagesë.

4.Rekomandohet të aplikohen stimulime për lindjen e fëmijëve, Qeveria të jep shtesa për çdo fëmijë të lindur.

Duke u cilësuar si çështje me interes kombëtar dhe interes i politikës publike, OAK mendon që për të ndryshuar ky trend shumë i rëndë në dëm të femrave, shteti është ai i cili duhet që të merr përsipër pagesën e lehonave.

Oda e Afarizmit të Kosovës, duke qenë një zë i fuqishëm i biznesit është e përkushtuar që edhe më tutje të vazhdoj të perkrah biznesin kosovar.