OAK mirëpret përfaqësuesen Gjermane të Projektit SES

Përfaqësueset e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) Donika Gashi dhe Qendresa Ibrahimi, pritën në takim përfaqësuesen e Projektit SES – Senior Expreten Service znj. Ute Sonnen.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, znj.Sonnen u shpreh e interesuar që të mbajë një takim me përfaqësueset e OAK-së, në mënyrë që të njihet më nga afër për nevojat e bizneseve anëtare të saj dhe mënyrën se si së bashku mund të kontribuojnë në këtë drejtim.

Temë kyçe e diskutimit ishte ndihma që ofron ky projekt në sigurimin e ekspertëve nga Gjermania për bizneset në Kosovë, varësisht nga fusha në të cilën kanë nevojë ata. Përfituesit kryesorë të ekspertizës së rrjetit SES janë kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme, dhe qëllimi primar është që këta ekspertë të ndajnë njohuritë dhe përvojën në mënyrë që të përmirësojnë perspektivat e ardhshme të bizneseve.

“Aktualisht, SES ka qasje në njohuritë dhe përvojën e mbi 12,000 ekspertëve nga të gjitha sferat profesionale. Që nga viti 1983, SES ka përfunduar më shumë se 40,000 detyra të ekspertëve vullnetarë në mbi 160 vende” u shpreh më tutje znj.Sonnen.

Në përfundim të këtij takimi, përfaqësueset e OAK-së falënderuan znj. Sonnen për vizitën dhe bashkëpunimin paraprak dhe të dyja palët u dakorduan për një bashkëpunim edhe më të ngushtë e të vazhdueshëm në të ardhmen.