OAK në takim të përbashkët me bizneset dhe Nënkryetarin e Komunës së Prishtinës

Takimi u mbajt në Komunën e Prishtinës, ku pjesëmarrës ishin 9-të biznese të sektorëve të ndryshëm ku patën mundësinë t’i shpalosin problemet e ndryshme që po hasin gjatë procesit të tyre të punës.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi, deklaroi se ky takim është në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që ka OAK me Komunën e Prishtinës, dhe se duhet në bashkëpunim me njëri-tjetrin t’i evitojnë problemet që po hasin bizneset vazhdimisht, dhe se zhvillimi i bizneseve ka ngecur për shkak që nuk po dëshirojnë t’i dëgjojnë problemet mirë për zgjidhjen e tyre.

Krasniqi theksoi se OAK ka identifikuar disa probleme që kanë bizneset me Komunën e Prishtinës të cilat përfshijnë mungesën e zonës industriale funksionale, mungesën e ofertave nga ana e Komunës për bizneset, problemet me Pallatin e Rinisë, siguria dhe vendosja e kamerave të sigurisë në qytet nga Komuna.

Nënkryetari Selim Pacolli u shpreh se bizneset janë vet jeta jonë pasi që në këtë mënyrë ofrohen mundësitë për vende të punës, siguri në të ardhura për jetën, dhe gjithashtu theksoi se të gjithë ne paguhemi nga tatimet e bizneseve.

Ndërsa anëtari i Bordit të OAK-së Hysni Zogaj, theksoi problemin e legalizimit të objekteve në Komunën e Prishtinës, ku kërkoi nga Komuna informacion deri ku ka arritur zhvillimi i procedurave.

Njëri ndër anëtarët e bizneseve të OAK-së, Shkëlzen Domi njëherësh përfaqësues i Pallatit të Rinisë, fillimisht theksoi se është bërë pjesë e# OAK-së për kanalizimin e shumë problemeve të bizneseve në Pallatin e Rinisë, dhe u shpreh se ka gjetur mbështetje maksimale tek Oda e Afarizmit të Kosovës. Ai diskutoi rreth problemeve të shumta që kanë bizneset në Pallat, mirëpo çështja më e rëndësishme dhe jo korrekte është afati i shkurtër i kontratave që kufizon komuna.

Gjithashtu duke pasur parasysh investimet që bëhen në shtet në kuadër të Pallatit të Rinisë mbështetja duhet të jetë më e fuqishme nga ana e Komunës. Replika e Pacollit ishte se jemi duke e trajtuar këtë çështje dhe se nuk kemi pasur mundësi ligjore për kohëzgjatje të kontratës më shumë se 6 muaj.

Ndërsa shefi i zyrës së Auditimit të Brendshëm Osman Bllaca tha: “Pallatin e Rinisë e kemi për zemër dhe se është ndërtuar nga taksat e prindërve tanë, dhe se konform ligjit veprojmë për financat publike”.

Z. Pacolli gjithashtu theksoi se nga muaji Maj do të fillojmë trajtimin rreth kësaj çështjeje, gjithashtu Pallatit të Rinisë do i krijohet një imazh shumë më i mirë dhe do t’i ofrohen dispozitat më të mira për funksionim më të suksesshëm.

Gjatë këtij takimi bizneset “Flux”, “Marimanga ”, dhe “Telkos ” shprehën problemet e tyre individuale me të cilat po përballen në raport me komunën. Ndërsa pronari i biznesit “LTS Kosova”, Ekrem Qerreti theksoi si problem mungesën e Parkut Industrial duke e parë si urgjente funksionalizimin e zonës industriale, duke e marrë parasyshë se ai si biznes ka nevojë për hapësirë për të investuar dhe krijuar vende të reja të punës.

Në fund të takimit nënkryetari Pacolli u shpreh se është i hapur për takime me bizneset rreth problemeve të tyre dhe do të mbajë takime të rregullta me OAK-në.

Ndërsa kryetari i Bordit të OAK-së falënderoi bizneset pjesëmarrëse dhe nënkryetarin për zhvillimin e takimit, duke theksuar se do të zhvillojnë takime të rregullta edhe më të shpeshta me bizneset anëtare dhe përfaqësuesit e institucioneve.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Kryetari i Bordit Skender Krasniqi, Anëtari i Bordit Hysni Zogaj, Koordinatorja Qendresa Ibrahimi, zyrtaret Vanesa Gashi dhe Mirjeta Shala.

Ndërsa pjesëmarrës të bizneseve ishin: Shkëlzen Domi përfaqësues i “Gently”, Rrahim Tërnava përfaqësues i “Blue Sky”, Fatbardh Xhaferi përfaqësues i “HIB”, Shefki Bunjaku përfaqësues i “KIT”, Ekrem Qerreti përfaqësues i “LTS Kosova”, Granit Sheremeti përfaqësues i “FLUX”, Jetmir Uka përfaqësues i “Marimanga”, Fatmir Rexhepi përfaqësues i “Renson” dhe Blerim Zuka përfaqësues i “Telkos”.