Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit, krijimit  të lehtësirave për studentët, shkëmbimit të të dhënave për përkrahjen e studentëve dhe bizneseve, krijimin e vendeve të reja të punës për studentët të cilët janë në studime e sipër, bërjes së hulumtimeve dhe analizimin e tregut të punës dhe nevojave që ka tregu për t’i orientuar studentët në fusha përkatëse, Oda e Afarizmit të Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, pajtohen që të krijojnë partneritet me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fusha të ndryshme, si dhe studentëve të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës të ju mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OAK-së.

Kryetari i bordit  të OAK-së Skënder Krasniqi me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit potencoi se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje po hapen rrugët për studentët të cilët krahas studimeve do të kenë mundësinë të kryjnë edhe praktika pranë bizneseve anëtare të OAK-së. Duke theksuar njëkohësisht se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton implementimin e tyre në praktikë.

Ndërsa,  Dekani i Fakultetit të Inxhinjerisë Elektrike dhe Kompjuterike Prof.Dr. Isak Shabani theksoi faktin se janë munduar t’ i qëndrojnë afër industrisë  duke krijuar fuqi punëtore  e të nxjerrin gjenerata kualitative për tregun punës, duke e cilësuar këtë me interes nacional.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit Dekani i FIEK Prof. Dr.  Isak Shabani  falënderoj  Odën e Afarizimit të Kosovës si dhe theksoi se janë të hapur për çfardo bashkëpunimi i cili do të jetë dobiprurës për studentët duke përmendur me këtë rast disa nga bashkëpunimet konkrete.

Përderisa, OAK ritheksoi se ne jemi çdoherë të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë dhe të diskutojmë për gjëra praktike të cilat do të jenë dobiprurëse për studentët dhe ndërrmarrjet afariste.