Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit reciprok, ndërlidhjes së studentëve me tregun e punës, themelimit të zyrave të marrëdhënieve me publikun tek bizneset, zhvillimit të marketingut të mirëfilltë, ngritjen e vetëdijes rreth rëndësisë së PR, krijimit të imazhit përmes medias, si dhe mundësisë që studentët të përfundojnë praktikat profesionale në komunitetin e biznesit, Oda e Afarizmit të Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Filologjisë – Departamenti i Gazetarisë.

Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Departamenti i Gazetarisë përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, pajtohen që të krijojnë partneritet me qëllim të ngritjes së vetëdijes së bizneseve për rëndësinë e marketingut dhe raporteve me klientin përmes promovimit të produkteve dhe shërbimeve të tyre përmes medias, rrjeteve sociale dhe platformave dixhitale në përgjithësi.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit theksoi se është shumë e rëndësishme që bashkërisht të punojmë për nxjerrjen e rezultateve konkrete, e që MOU të mos mbesin vetëm në letër.

E nga ana tjetër, shefi i Departamenit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri theksoi që si Departament janë shumë të hapur për bashkëpunim dhe e mirëpresin çdo iniviativë të ndërmarr nga OAK me qëllim të jetësimit të këtij bashkëpunimi.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit shefi i Departamenit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri dhe Profesoresha Remzie Hoxha falënderuan Odën e Afarizimit të Kosovës, për inicimin e nënshkrimit të këtij memorandumi, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim reciprok.