Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) u pritën në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyëqsor të Kosovës z.Albert Zogaj.

Anëtari i bordit të OAK-së z.Hamdi Malushaj i uroi  z.Zogaj pozitën e kryesuesit të KGJK-së me bindjen e rritjes së transparencës dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor në vend.

Tutje Malushaj prezentoi punën e OAK-së, me theks të veçantë kontributin e saj në ndryshim plotësimin dhe përpilimin e ligjeve të reja, të cilat afektojnë punën dhe veprimtarinë e biznesit.

Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me Gjykatën Komerciale, duke konsideruar se krijimi i Gjykatës Komerciale dhe funksionalizimi i saj duhet të krijoj garancë formalo juridike dhe siguri, si për investitorët vendor ashtu edhe për ata të huaj, me qëllim të tërheqjes së investimeve, gjë që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të vendit, duke marrë parasysh se 80% e të hyrave të buxhetit të Kosovës përbëhet pikërisht nga taksat dhe tatimet që paguajnë bizneset lidhur me ushtrimin e veprimtarisë ekonomike të tyre;

Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Afarizmit të Kosovës, si përfaqësuese e komunitetit të biznesit, në çështjet me interes të përbashkët.

Kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj vlerësoi punën dhe angazhimin e OAK-së me qëllim të kontributit në zhvillimin ekonomik të vendit dhe orientimin e tërheqjen e investitorëve potencial për të investuar në Kosovë.

Të dy palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjellë rreth çështjeve me interes të përbashkët.