OAK viziton fabrikën e ujit DEA

Vizitat e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) anembanë Kosovës nuk kanë të ndalur, këtë e dëshmon edhe vizita në bizneset e Komunës së Gjilanit, ndër të cilat edhe biznesin Ujë DEA.

Në këtë takim, Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës u mirëpriten nga pronari Fadil Shala.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj shpalosi shërbimet dhe aktivitetet e Odës që ka realizuar për këto më shumë se dy vite punë. Gjithashtu përgëzoi biznesin për punën e palodhshme të prodhimit të produkteve vendore duke theksuar që Kosova ka nevojë për biznese të tilla.

Shala falënderoi Odën e Afarizmit të Kosovës për punën e vazhdueshme që bën për krijimin e një klime më të mirë të të bërit biznes. Ndër problemet me të cilat Dea po përballet u veçua mungesa e një fabrike të prodhimit të qelqit në Kosovë, pasiqë në këtë mënyrë shumë biznese do të furnizoheshin me qelq vendor e cila do të ndikonte në ulje të importit dhe mundësi të rritjes së eksportit.

Në fund të takimit të dyja palët lanë të hapura mundësitë e bashkëpunimit.

Për më shumë, Ujë DEA ndodhet në masivin e Bjeshkëve të Zhegocit në Kosovë, i nxjerrur nga thellësia e nëntokës 300m dhe është një nga ujërat më të lehta oligo minerale.