Oda e Afarizmit adreson problemet për të bërit biznes në Kosovë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi sot konferencën “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë”, ku sipas drejtuesve të kësaj Ode, Kosova ende mbetet një nga vendet me më së paku investime në rajon.

Kështu u tha sot në konferencën “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë” të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ku janë prezantuar katër barriera, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë.

Agjencioni Pyjor i Kosovës është administruese e mbi 42 përqind të tokave pyjore në Kosovë, kështu që e bën njërin nga faktorët kryesor në tërheqjen e investimeve, mirëpo, politikat aktuale të Agjencisë së Pyjeve sipas tij, nëse një investues është i interesuar që të investojë në një zonë e cila administrohet nga APK, ajo jep pëlqime vetëm deri në 5 vjet dhe atë vetëm për ndërtim të përkohshëm.

Problem tjetër në këtë sektor, sipas OAK-së është edhe mënyra e paligjshme e taksës të cilën e aplikon Ministria e Bujqësisë ose Agjencioni Pyjor i Kosovës, si dhe barriera tjetër e madhe për biznesin është që pjesa më e madhe e sektorit minerar në Kosovë, të cilët bëjnë investime në Kosovë, paguajnë taksë të dyfishtë.

Drejtori ekzekutiv i OAK-së, Ismet Mulaj ka thënë se këto barriera i kanë adresuar me shkrim te kryeministri i Kosovës dhe te Ministria e Bujqësisë, ngase sipas tij, problemet janë të jashtëzakonshme, është një nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë.

Këto barriera sipas Mulajt më së shumti atakojnë bizneset që merren me shfrytëzimin e pasurisë nëntokësore dhe e ka bërë të pamundur zhvillimin e këtij sektori.

OAK rekomandon Qeverinë e Kosovës që Ligji për Agjencionin e Pyjeve të Kosovës të futet në procedurë amandamentimi, që do të mundësonte që kërkesat e biznesit të marrin zgjidhje.