Qyteti i bizneseve, Ferizaji, me shumë probleme biznesore

Preokupim i të gjitha bizneseve është se Qeveria e Kosovës duke tentuar që të mbajë buxhetin e konsoliduar dhe duke i orientuar invstimet jo në drejtimin e duhur, është duke i dëmtuar bizneset dhe vendin, e kjo po ndikon në mosrritjen e eksportit dhe prodhimit vendor si dhe mosrritjen e punësimit, u tha kësaj radhe në “Kafja e mengjësit” organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) që u mbajt në Komuna e Ferizajt dhe ku të pranishëm kanë qenë dhjetra biznese të këtij regjioni me qëllim të identifikimit të shqetësimeve të bizneseve të Ferizajit.

Kryetari i Bordit të OAK-së, Skender M Krasniqi, falënderoi bizneset për pjesëmarrjen e tyre në këtë organizim dhe informoi të pranishmit mbi propozimet për qeverinë e re, të dërguara nga Oda e Afarizmit të Kosovës e të cilat përfshijnë disa nga sferat kryesore në të cilat bizneset po hasin probleme.

Ndër propozimet e Odës së Afarizmit të Kosovës drejtuar të gjitha partive politike para fushatës zgjedhore, përfshihet ndryshimi i udhëzimeve administrative të Ministrisë së Bujqësisë, ndryshimi i projektiligjit për Miniera dhe Minerale, ligjit të punës, ligjit për pushimin e lehonisë, largimi i taksës ekologjike për rimorkio dhe krijimi i ofertave për të bërit biznes në Kosovë dhe shumë e shumë të tjera, theksoi Krasniqi.

Ndërsa anëtari i Bordit, Hysni Zogaj shtoi që bashkimi i bizneseve është më se i nevojshëm dhe së bashku mund të arrihet më lehtë tejkalimi i sfidave që bizneseve ju paraqiten.

Pronari i biznesit Plus Center, Sylejman Neziri përgëzoi iniciativën e #OAK-së për të mbledhur të gjitha bizneset e Ferizajit në një vend, dhe shtoi që monopolizimi në Kosovë po shkatërron bizneset dhe se duhet rritur interesimi i konsumimit të produkteve vendore dhe sa më pak të vendeve të tjera.

Përfaqësuesi i biznesit anëtar Pofix SH.P.K., Sadat Abazi veçoi problemet që po hasin bizneset me tahograf gjatë eksportit.

Ndërsa, Amir Musliu nga “Elsam” SH.P.K. u fokusua më shumë tek procedurat për eksportim të produkteve dhe problemet me procedurat për garancione bankare. Ndër të tjera Musliu shtoi që investitorët e huaj shpeshëherë nuk janë të informuar që tatimi në fitim në Kosovë është vetëm 10%.

Përfaqësuesi i biznesit “Silca Group” SH.A, Adnan Ibrahimi, vlerësoi lartë organizimin e Odës duke shtuar që ka qenë më se e nevojshme për bizneset e Ferizajit të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë sfidat. Tutje ai shtoi që mungesa e Ligjit për Tregti të Brendshme po i dëmton bizneset dhe se gjatë eksportit të ujit në Shqipëri bizneset obligohen të pagujanë taksë për plastikë, gjë e cila nuk aplikohet nga Kosova karrshi Shqipërisë.

Biznesi Cornet Kosova, shprehi problemet që kanë bizneset e pjesës Babush të Ferizajit me ndalesat e rrymës, që po i dëmtojnë në prodhimtari.

Faton Nuredini nga “Toni Mermer” SH.P.K. përkrahi propozimet e #Odës për inkasimin e mjeteve dhe që gjykata ekonomike duhet të kthehet, ndërsa shtoi që duhet të krijohet një sistem që të publikoj raportet e bizneseve, në mënyrë që të dihet gjendja e tyre.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: Kryetari i Bordit, Skender M Krasniqi, anëtari i Bordit, Hysni Zogaj, Zyrtaret Mirjeta Shala, Rreze Cana dhe Zgjim Prebreza.