Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e fundit të marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për mbylljen e sektoreve të veçanta të bizneseve duke shkaktuar kështu humbje të mëdha.

Me këtë vendim të lëshuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës po u shkaktohet dëm jashtzakonisht i madh bizneseve të cilat edhe ashtu gjenden në një situatë shumë të vështirë ekonomike, pas përballimit me valën e parë të Covid19.
Ndërsa, bëjmë të ditur se një vendim i tillë është marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës pa asnjë konsultim paraprak me sektorin e bizneseve. Si rrjedhojë janë duke u shkaktuar humbje të mëdha në sektorin privat, sidomos ato që mbajnë pemë, perime, mish apo edhe produkte të tjera që kanë afat të shkurtër skadece.
OAK konsideron se një diskutim paraprak me sektorin e bizneseve do të ndihmonte që sado pak të gjindej një zgjidhje më pak e dëmshme për bizneset. Veçanarisht kur dihet se një numër i madh i bizneseve gjinden buzë falimentimit, kjo si pasojë e mungesës së ndihmës nga ana e shtetit gjatë ballafaqimit me valën e parë të pandemisë e që edhe pas saj ndihma nga shteti ishte shumë vobekët.
Këto vendime të shpejta e pa konsulta paraprake me bizneset kanë ndikuar direkt në çrregullimin e organizimit të brendshëm të kompanive ku në mesin e të cilave përfshihen oraret dhe menaxhimi i stafit.
OAK me keqardhje ju njofton se kjo gjendje në vend me këto masa që janë të ndërrmarra deri më tani do t’i shkaktojnë humbje të mëdha mbase edhe të parikuperueshme bizneseve dhe vetë shtetit të Kosovës. Poashtu, mosdefinimi i saktë se cilat markete mund të punojnë dhe cilat jo, ka krijuar konfuzitet tek qytetarët dhe bizneset ani pse do të duhej të kishte parametra apo kritere në bazë të të cilave do të lejohej apo kufizohej funksionimi i një objekti.
Ne mbesim me shpresë që Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë në konsideratë gjendjen e vështirë në të cilën janë bizneset dhe do të gjejë një zgjidhje sa më të shpejt e cila është më pak e dëmshme për gjithë qytetarët të cilët janë të punësuar në sektorin privat e ku numri i tyre është shumë i lartë e që sillet rreth 250 mijë qytetarë, për bizneset dhe vetë shtetin e Kosovës.