Rrezik për “pandemi ekonomike”, pas tejkalimit të COVID-19

Bordi i Oda e Afarizmit të Kosovës (#OAK) vizitoi disa nga bizneset anëtare, ndër të cilat ishte edhe kompania “JYSK” SH.P.K., ku qëllim kryesor ishte diskutimi lidhur me sfidat që bizneset po përballen dhe efektin e vendimit të Qeverisë për mbyllje të një numri të madh të bizneseve, si masa parandaluese të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Anëtari i bordit të OAK-së Hamdi Malushaj kërkoi që të trajtohen në mënyrë të barabartë punëtorët e sektorit publik dhe atij privat, pasiqë në kohë të pandemisë nuk ekziston asnjë dallim. Ai theksoi që po bëhet pabarazi sepse punëtorë e sektorit publik po marrin paga të plota, anipse nuk janë duke punuar, kurse ata të sektorit privat jo.

Tutje Malushaj shtoi që Qeveria e Kosovës nuk ka marrë parasysh propozimet e Odës së Afarizmit të Kosovës, të cilat janë dërguar për Pakon Emergjente Fiskale, andaj konsideroi që është mëse e nevojshme që komuniteti i biznesit të informohet se si do të rimëkëmbet ekonomia pas tejkalimit të pandemisë COVID-19.

Pronari i biznesit “JYSK” SH.P.K. Fatmir Zymberi, theksoi që pas vendimit të Qeverisë biznesi i tij është një nga bizneset që nuk është duke funksionuar, andaj kërkoi që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme ekonomike dhe të ndërmerren hapat e duhur për t’u dalur në ndihmë atyre.

Ndër të tjera Zymberi shtoi që pasiqë pandemia të largohet, vendi do të pëballet me një pandemi ekonomike, e cila do të jetë shumë e rrezikshme me vendimet e Qeverisë për të subvencionuar pagën e punëtorëve me 170€, ose format tjera, të cilat sipas tij nuk janë të mjaftueshme.

Gjatë kësaj vizite OAK u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skender M Krasniqi dhe anëtarët e bordit Hamdi Malushaj dhe Lulzim Begaj.