Në vazhdën e vizitave tek bizneset, përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës vizituan Rent A car Turbo , për të dëgjuar për së afërmi problemet e shumta me të cilat po përballet ky sektor, ku u pritën në takim nga pronari Agron Haxhilari.

z. Haxhilari theksoi se përballet me shumë sfida për të operuar të cilat i bëjnë punën edhe më të vështirë. Vjedhjet e veturave që u bëhen, problemet me inkasimin e mjeteve nga kompanitë e sigurimit duke shkaktuar kështu humbje të ditëve, pastaj çështja se për çdo rast që mund të ndodh kontaktohet pronari dhe obligohet të jep deklarata, gjë që ndikojnë në shqetësimin e tij dhe familjes janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballen vazhdimisht dhe për të cilat nuk po gjejnë zgjidhje. Kërkesa e z. Haxhilari është që në raste të tilla përgjegjësinë ta mbaj personi i cili drejton automjetin, sepse ai ka nënshkruajtur kontratën paraprakisht dhe ka marrë përgjegjësinë për veturë deri në periudhën e paracaktuar, e jo pronari i biznesit.

Haxhilari vlerëson që është i domosdoshëm bashkëpunimi i thellë ndërmejt tyre, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë, me arsyen që së bashku do të ishte më e lehtë arritja deri tek personat të cilët janë duke ju shmangur ligjit dhe personave të cilët mund të jenë të ndjekur nga policia për ndonjë arsye.
Ai gjithashtu theksoi se nuk kanë asnjë përkrahje nga ana e Institucioneve andaj e sheh të domosdoshëm bashkëpunimin në mënyrë që të lehtësohet operimi i të dy palëve.