Oda e Afarizmit të Kosovës

Me ftesë të OAK-ut, përfaqësues nga Ambasada Britanike në Kosovë znj. Mimoza Gojani dhe Z. Milot Burani vizituan OAK-un, ku u mirëpriten nga kryetari i bordit z. Skënder Krasniqi, nënkryetari z.Arsim Selmonmusaj, Sekretari z.Diamant Elshani dhe zyrtarja për komunikim me biznese znj.Donika Gashi.

Udhëheqës të OAK-ut i njoftuan përfaqësuesit e Ambasadës Britanike për aktivitetet e OAK-ut dhe bizneset të cilat kjo Odë i përfaqëson, duke theksuar barrierat që i krijohen në zhvillimin e afarizmit.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e madhe që kanë investimet e bizneseve të huaja në Kosovë, dhe krijimin e mundësive përmes Odës së Afarizmit të Kosovës dhe bashkëpunimin me Odat e tjera ndërkombëtare.

Znj.Gojani dhe z. Burani u shprehën se janë të hapur të bashkëpunojnë me OAK-un, dhe çdo institucion tjetër, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë. Përfaqësuesit e Ambasadës përgëzuan OAK-un për fillimin e punëve dhe i dëshiruan sukses në të qenurit zë i bizneseve në proceset vendimmarrëse.

Rëndësi e madhe që iu kushtua në këtë takim ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë në mes të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe OAK-ut, duke mundësuar takime B2B ndërmjet bizneseve kosovare edhe atyre britanike.