Në kuadër të vizitave tek bizneset, Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi u prit në takim nga Bekim Haliti bashkëpronar i Ballkan Petrol, me seli në Ferizaj.

Ballkan Petrol, është themeluar në vitin 1990 nga Abaz Haliti, si ndërmarrje për shitjen e derivateve të naftës dhe lubrifikantëve, mekanizmave dhe produkteve bujqësore e ushqimore. Zhvillimi i hovshëm i kompanisë u ndërpre në fund të viteve ’90 për shkak të situatës së krijuar në Kosovë.

Për të vazhduar në vitin 2000, kur kompania e riktheu trendin e zhvillimit, duke i zgjeruar kapacitetet dhe fushëveprimtarinë. Kështu në vitin 2001, hapja e pompës së dytë të derivateve në magjistralen Ferizaj-Kaçanik shënon edhe nismën për ndërtimin e rrjetit të pompave multifunksionale.

Kthesë të madhe në zhvillimin e korporatës shënon hapja e fabrikës për prodhimin e varjave motorike e industriale “PrimOil” në vitin 2006.

Ndërsa nga viti 2010, korporata zgjeroi fushëveprimtarinë e saj edhe në sektorin e energjisë me njësinë “Ballkan Petrol Energy” e cila me shpejtësi arriti të rangohet si punëkryesi kryesor i projekteve madhore të energjetikës në Kosovë.

Me plot meritë, Ballkan Petrol sot e gëzon një reputacion të shkëlqyer në sektorin e varjave, derivateve, energjisë dhe gastronimisë në Kosovë e rajon.