Bizneset e Pallatit të Rinisë me probleme të mëdha të të bërit biznes

Problemet e bizneseve të Pallatit të Rinisë, me theks të veçantë afati i shkurtë i kontratave të qirasë me bizneset, kushtet infrastrukturore, keqmenaxhimi i deritanishëm nga AKP, ishin disa nga temat që u diskutuan në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me U.D Drejtorit të Pallatit të Rinisë Ilir Dugolli.

Bizneset e Pallatit të Rinisë i janë bashkuar OAK-së me qëllim që së bashku të kontribuojmë në përmirësimin e sfidave me të cilat ato po përballen, andaj tash e tutje OAK do të jetë përfaqësues zyrtar i këtyre bizneseve tek institucionet, u tha nga kryetari i bordit të OAK-së Skender  Krasniqi.

Krasniqi adresoi shumë probleme të cilat janë identifikuar nga OAK gjatë takimeve të vazhdueshme me bizneset e Pallatit të Rinisë, ndër të cilat kontratat afat shkurtër të qirasë, duke i pamundësuar investimet nga ana e bizneseve, menaxhimi jo i mirë i deri më tashëm, mungesa e sigurimit, ishin disa nga çështjet që preokupojnë më shumë këto biznese.

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të bizneseve të cilat kishin rastin që të adresojnë shqetësimet e tyre, drejtpërdrejt tek Drejtori.

Shkelzen Domi pronar i biznesit Gently theksoi se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe menaxhmentit të Pallatit të Rinisë është shumë i rëndësishëm dhe se pret që të konsiderojnë njëri – tjetrin partner. Sipas Domit problemi kryesor me të cilin po përballen bizneset e Pallatit të Rinisë janë kontratat e qirasë me afat shumë të limituar, duke theksuar që ndërmarrja e hapave për ndryshim është e domosdoshme. Një gjë e tillë po e bënë të pamundur investimin nga ana e bizneseve për shkak të pasigurisë që ata kanë.

Dugolli përgëzoi OAK-në për lobimin e zgjidhjes së problemeve në mënyra zyrtare, duke shtuar që edhe përfaqësuesit e Pallatit të Rinisë janë të interesuar për bashkëpunim. Ai shtoi që problemet e Pallatit të Rinisë janë të trashëguara nga AKP-ja dhe se shpresojnë që në një periudhë të shkurtë kohore të bëhet përmirësimi i situatës ekzistuese.

Pallati ka qenë një nga pikat më atraktive në qytet dhe i tillë dëshirojmë të vazhdoj, për këtë arsye Oda e Afarizmit të Kosovës po vazhdon të loboj në eleminimin e problemeve të tyre, theksoi anëtari i bordit Hyzni Zogaj.

Në fund të këtij takimi të dyja palët u dakorduan për një takim të radhës të përbashkët me Bordin e Pallatit të Rinisë, me qëllim të bashkëpunimit në përmirësim të situatës ekzistuese.

Oda e Afarizmittë Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skender Krasniqi, anëtari i bordit Hysni Zogaj, koordinatorja Qendresa Ibrahimi, zyrtarja Mirjeta Shala dhe përfaqësuesit e bizneseve të Pallatit të Rinisë: Shkelzen Domi, Rrahim Ternava dhe Enver Gashi.