Taksat e larta komunale, mungesa e kuadrove profesionale, vështirësitë në eksport dhe import ishin disa nga problemet të cilat i shpalosën bizneset në Komunën e Prizrenit.

Oda e Afarizmit të Kosovës vizitoi të mërkurën disa prej bizneseve në këtë Komunë ku u diskutua lidhur me lehtësirat që mund të krijohen për zhvillimin e veprimtarisë së këtyre bizneseve në Kosovë. Përfaqësues të “Puntex”, “Medina SHPK”, “Vefa Dekor”, “Omega Tours” dhe “Dizajn Metal” u shprehën të pakënaqur me mënyrën se si po trajtohen nga Institucionet e Kosovës, posaqërisht me neglizhencën që po tregojnë këto të fundit ndaj kërkesave të tyre dhe pengesat që po shkaktojnë ato.

Ndërkaq zyrtarët e Odës së Afarizmit të Kosovës shpalosën përpjekjet e tyre për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të biznesit në vend.

Kërkesat nga Oda e Afarizmit të Kosovës për ndryshimin e Ligjit të Punës, Ligjit të Lehonisë, krijimin e Ligjit për Lobim dhe krijimin e Ligjit për Tregti të Brendshme ishin disa nga temat që u diskutuan.

Në fund të takimeve palët lanë të hapura mundësitë e bashkëpunimit.