Vendimi për krijimin e produkteve strategjike, të cilat do të kontribuonin në krijimin e sasisë dhe rritjes së eksportit, krijimit të një strategjie afatmesme dhe afatgjatë për bujqësinë, ndryshimi i disa udhëzimeve administrative, subvencionimi i produkteve bujqësore të bëhet për sasi në të gjitha produktet, Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural e Ligji për pyjet, e gjetja e një formule në mënyrë që sektori i bujqësisë të funksionojë siç duhet meqenëse Kosova ka kapacitet të madh për plasimin e produkteve të bujqësisë organike ishin tema e takimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Faton Peci.

Çështje tjetër e diskutimit ishte Rajonalizimi i zonave bujqësore, e cila do të ndikonte edhe në skemat e granteve dhe subvencioneve e cila u cilësua si një nga çështjet prioritare nga të dyja plaët. 

Dhoma e Tregtisë theksoi që me krijimin e produkteve strategjike do të ndikonte pozitivisht në krijimin e sasisë dhe rritjen e potencialeve për export.

Ndërsa sa i përket skemës së granteve dhe subvencioneve u theksua që me rajonalizimin e zonave do të ishte më i lehtë edhe orientimi i tyre në kultura të ndryshme sipas zonave të caktuara. Ndërsa që subvencionimi i mishit të pulës u cilësua shumë i nevojshëm në skemat e radhës.

Gjithashtu, në takim u theksua edhe garancioni i dyfishtë bankar që disa biznese janë të obliguara ta paguajnë duke përfshirë APK dhe KPMM.

Ministri Peci, duke falënderuar përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë për bashkëpunimin dhe çështjet e ngrituara theksoi që shumë prej tyre janë edhe prioritet i programit të tij në këtë fushë, andaj janë duke punuar në këtë drejtim që sipas analizave të thella shkencore të kenë mundësi që të bëjën edhe propozime konkrete e implementime në të mirë të sektorit të bujqësisë.

Dhoma e Tregtisë falënderoi Ministrin Peci për fillimin e subvencionimit në bazë të rendimentit për disa kultura bujqësore, duke qenë i pari që e praktikon këtë dhe Kosova për herë të parë subvencionon në bazë të sasisë dhe jo sipërfaqes, e cila është kërkesë e kahmotshme e Dhomës së Tregtisë, duke kërkuar që kësaj liste ti shtohen edhe produktet e tjera.

Në fund të takimit të dy institucionet u dakorduan për rritjen e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.