Moratoriumi për bizneset e sektorit të gurthyesve, taksa ekologjike për rimorkio dhe vonesat në pajisje me pëlqim dhe leje mjedisore e ujore, ishin disa ndër temat e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësueseve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Këshilltarin në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Eljesi Surdulli.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shprehu shqetësimin e komunitetit të bizneseve të cilat afektohen nga vendimi për moratoriumin, pasi që për të njëjtin nuk janë dhënë sqarime shtesë lidhur me implementimin e tij, siç është situata kur një biznes ekzistues kërkon zgjerimin e hapësirës punuese.

Tutje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë theksoi që është mëse e nevojshme që të bëhet sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve, pasi që në baza ditore Policia e Kosovës raporton për aksidente me fatalitet, e gjithashtu u veçua edhe nevoja për informim të vozitësve për pengesat në rrugë apo për kolonat e gjata përmes radios.

Këshilltari Surdulli përgëzoi Dhomën e Tregtisë për punën dhe theksoi që aktualisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë duke lobuar për anëtarësimin në CEMT si dhe me shumë seriozitet po punohet në sinjalizim horizontal dhe vertikal të rrugëve.

Surdulli shprehu gatishmërinë për trajtim të çdo kërkese të komunitetit të bizneseve, zgjidhja e së cilave do të ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendore.