28.09.2022
Prishtinë
Të nderuar të pranishëm,
E nderuara zonja Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuar z.Getoar Mjeku Zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë;
I nderuar z.Nebih Hoxha, Kryetar i Odes Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore
E nderuara z. Mladen Perazic nga Oda e Malit të Zi
E nderuara znj.Dafina Beqiri – Western Balkans Fund
Të nderuar përfaqësues të institucioneve nga fusha e arsimit dhe investimeve nga Kosova,
Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtar nga vendi dhe rajoni,
Shumë të respektuar afaristë,
Të nderuara media,
Zonja dhe Zotërinj,
Më lejoni që të në emër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës të Ju falënderojë për prezencën e tuaj në këtë Konferencë Rajonale me temë: “Promovimi i Investimeve Rajonale” e cila organizohet në bashkëpunim me partnerët tanë Oda e Maqedonisë Veri – Perëndimore (OEMVP) dhe Odën Ekonomike të Malit të Zi (PKCG), në mbështetje të Western Balkan Fund që shfrytëzojmë rastin t’a falënderojmë për përkrahje të vazhdueshme në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Dhomave të Tregtisë dhe bizneseve në rajon.



Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës këtë rrugëtim me Dhomat e Tregtisë nga rajoni e ka filluar që disa vite me qëllimin e vetëm, rritjen e bashkëpunimit në mes të vendeve tona, rritjen e tregtisë në mes të vendeve të rajonit duke i ndarë përvojat në fushën e arsimit dhe ofertave që vendet tona i kanë për investimet e huaja duke pasur parasysh që kjo është një mundësi shumë e mirë për rrjetëzim dhe bashkëpunime të reja në mes të institucioneve tona dhe ne si përfaqësues të bizneseve.
Kjo sidomos në këtë kohë ku çdo gjë po evolon shumë shpejtë dhe rritja e aktivitetit e bashkëpunimit ndihmon bizneset në tejkalimin e barrierave që mund të paraqiten drejt një bashkëpunimi të shëndosh reciprok.
Si avokues, ne përballemi çdo ditë me sfidat që kanë bizneset, andaj, konsiderojmë të nevojshme që të krijohen mekanizma edhe më të fuqishëm për të kontribuar, duke përshirë infrastrukturë më të mirë ligjore, politika fiskale më të volitshme, krijimi i ofertave më të mira për nxitjen e investimeve edhe më të mëdha, rritja e kualitetit të arsimit për nevojat të tregut e cila do të pasohej me zhvillim më të madh ekonomik dhe rritje të mirëqenies të vendeve tona.
“Çmimi i mosveprimit është shumë më i madh se kostoja e një gabimi.” – ka thënë Meg Whitman, femra e parë që ka drejtuar dy kompani të mëdha amerikane, eBay dhe HP.
Kjo është arsyeja që zëri ynë duhet të jetë shumë më i madh sepse ne, institucionet tona, Dhomat dhe bizneset jemi faktori kryesor i mirëqenies së punëtorëve dhe qytetarëve.
Ne duhet të rrisim bashkëpunimet dhe të përfitojmë nga eksperiencat tona në mënyrë që të rritet produktiviteti i punëve tona.
Nëpërmjet ndërlidhjes, ne kemi mundësi edhe që të rrisim kualitetin e ligjeve, ofertave dhe përballjes me tregun global duke e marrë parasysh që mundësia e të bërit biznes në tregun gobal është çdo herë e më e madhe dhe nuk është me rëndësi më se ku je por sa i aftë je për të bërë biznes.
Duke pasur parasysh prezencën në këtë ngjarje të përfaqësuesve të institucioneve vendimmarrëse i’u themi që aktivitete të tilla rajonale, konferenca dhe evente të përbashkëta duhet të shtohen, sepse në këtë mënyrë rriten edhe mundësitë për afrim me njëri-tjetrin, duke e rritur komunikimin dhe duke u mundësuar shkëmbimi i njohurive, praktikave dhe përvojave reciproke.
Çdo hap që ndërlidhet me bashkëpunimin më të ngushtë rajonal kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e mundësisë për integrimin e vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Duke mos harruar përfaqësuesit e bizneseve që i kemi të pranishëm i inkurajoj që të shfrytëzojnë këtë mundësi si mundësi njohje dhe të shkëmbimit të informacioneve dhe të shohin mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellët.
Ne nuk do të ndalojmë me aktivitete të tilla që i kontribuojnë këtij qëllimi.
Për të mos u zgjatur më shumë, dua të i’u falënderoj të gjithë juve për bashkëpunimin dhe përkrahjen, dhe që keni gjetur kohë të na nderoni me prezencën tuaj duke i shtuar madhështinë këtij organizimi.
Shfrytëzoj rastin që të falënderoj edhe stafin e mrekullueshëm të dhomave të Tregtisë të Maqedonisë Veriperëndimore , Malit të Zi dhe të Kosovës për organizimin e kësaj konference.
Faleminderit!