Komuna e Vushtrrisë dhe Oda e Afarizmit të Kosovës shqyrtojnë mundësitë e përkrahjes së bizneseve

Drejtues të Komunës së Vushtrrisë kanë pritur sot drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës me të cilët kanë shqyrtuar mundësitë e përkrahjes së bizneseve për të siguruar zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm.

Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, tha se komuna është shumë e interesuar që të krijoj kushte të favorshme dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve në Vushtrri, sepse ato janë bartëse të punësimit dhe zhvillimit ekonomik lokal. Ai ka thënë se Komuna do të bashkëpunoj me të gjitha organizatat që mbështesin fuqizimin e bizneseve.

Kreu i Komunës Xhafer Tahiri i ka njoftuar drejtuesit e Odës për rrjedhat e projektit të krijimit të Zonës Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, për të cilën ka gjetur edhe mbështetje financiare për fillimin e ndërtimit. Ai ka bërë të ditur po ashtu edhe për iniciativat dhe mbështetjen nga organizata dhe donatorë për përkrahjen e projekteve për bizneset, duke përfshirë edhe bizneset e bujqësisë.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës, Ismet Mulaj, tha se OAK si institucion i Kosovës ka për objektiv ofrimin e shërbimeve për bizneset në Kosovë. Ndërsa për komunën dhe bizneset vushtriase, Mulaj tha se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për Parkun e biznesit, pastaj të ndihmoj në trajtimin e problemeve dhe qasjes në energji elektrike si dhe të ndihmoj në ofrimin e kushteve të favorshme për bizneset.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës Besim Muzaqi, si dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Nasuf Aliu.