Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender M Krasniqi ka kërkuar nga qeveria e ardhshme, që të përpiloj një plan strategjik ekonomik, për të orientuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Krasniqi bëri këtë deklaratë në Televizionin Publik – RTK, në temën e trajtuar “Raporti ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Qeveria e ardhshme, së pari duhet më bëjë një strategji të vendit, që nuk e kemi. Puna e parë që duhet të bëjë, është se në çka po orientohemi, çfarë kemi prioritet, bujqësinë, turizmin, minierat, pastaj të orientohemi te një strategji e përbashkët me Shqipërinë. Por pa pasur ne strategji, e që nuk e kemi, ne nuk mundemi të bisedojmë me askënd për t’i hequr barrierat, sepse ai mund të na heq barrierat, e ne nuk kemi çfarë të shesim”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka sqaruar se së pari duhet të bëjmë një strategji të Kosovës, se cili do të jetë prioriteti për dhjetë vitet e ardhshme, në çfarë drejtime do të investohet, që të kemi kapacitete së pari për të ulur importin e huaj, pastaj për të eksportuar.

“Është koha e fundit, se përndryshe gjendjen në të cilën e kemi në mos zhvillimin e vendit me një eksod ekstrem të qytetarëve, me dhjetëra e mijëra në vit, si rezultat i pamundësisë së rinisë sonë për tu punësuar, sepse nuk kemi rritje të punësimit, nuk kemi mundësi t’i tërheqim investitorët. Nuk kemi mundësi ne si biznese të investojmë sepse nuk kemi përkrahje nga shteti. Kjo tregon se nëse vazhdohet kështu, Kosova është duke u zbrazur dhe është duke u krijuar një tragjedi shumë e shpejtë në Kosovë. Fatkeqësia e Kosovës është se institucionet e Kosovës nuk duan të flasin me shifra,. ‘Thonë kemi rritje ekonomike 4%’. Ku është ajo rritje? Është rritje si rezultat i remitencave”, tha kryetari i OAK-ut.

Krasniqi i ka quajtur mashtrime deklaratat “se kemi rritjen më të madhe në Evropë e Ballkan” dhe ka pyetur se ku reflekton kjo rritje, a është rritur punësimi dhe eksporti? “A është rritur eksporti? Dhe ku është dallimi mes importit dhe eksportit? A është rritur buxheti i shtetit? A është rritur prodhimi vendor? Tjerët kanë rritje në miliarda në pesë vitet e fundit, ne e kemi rritur eksportin me 40 milionë, ndërsa importin me një miliard”, tha ai.

Intervistën mund ta shikoni në linkun më poshtë të RTK-së me gazetarin Faton Salih Salihu.
https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/755709711570533/