Kryetari i OAK, Skënder Krasniqi,tha për Gazetën “Epoka e re” se rritja e pagave dhe rritja e punësimit s’do të duhej që të ishin në agjendën e premtimeve elektorale

“Në çdo shtet normal në botë prioritet i tyre është rritja e punësimit, e që më pas do të përcillej edhe me rritjen e pagave, kurse tek ne prioritet është rritja e pagave në sektorin shtetëror. Shihni çdo vit në tregun e punës hyjnë 30 mijë qytetarë, kurse në vitin e kaluar, karshi vitit 2017, kishim 10 mijë vende më pak të punës. Andaj, kur bëhet rritja e pagave duhet t’i dallojmë në bazë të viteve të shkollimit, e jo të marrë pagë të njëjtë si ai me shkollë të mesme si ai me fakultet. Rritja e pagave çdoherë është premtuar dhe bërë në sektorin publik, e që barrën për këtë e kanë vënë te bizneset dhe punëtorët e sektorit privat. Do të duhej të ndalej kjo praktikë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se s’mund të thirrën edhe në respektim të Ligjit të Punës, pasi ka mos[përputhje në mes të orëve të punës.

“Respektimi i Ligjit të Punës që në letër shënon 40 orë pune në javë, në institucionet publike punohet vetëm 35 orë, prandaj duhet të jenë të saktë edhe në këtë drejtim. Po ashtu, kemi shumë udhëzime administrative që s’u përfillën e që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik. Zhvillimi ekonomik, zhvillimi i turizmit dhe prodhimtaria çdoherë ishin tema, por vetëm deklarata gojore”, u shpreh Krasniqi.