OAK

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë përkrahë kërkesën e Odës së Afarizmit të Kosovës për largim nga CEFTA

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, paralajmëron shqyrtimin e tërheqjes së Kosovës nga CEFTA. Ai për RTK-në ka thënë se kjo është e mundur nëse nuk merren parasysh kërkesat e Kosovës.

Kosova do ta shqyrtojë tërheqjen nga marrëveshja për tregti të lirë CEFTA-s, nëse nuk do të merren parasysh kërkesat që përfaqësimi i Kosovës të jetë i barabartë me shtetet tjera, pra si Republikë e jo siç është tani ku përfaqësimi bëhet si UNMIK. Kështu ka paralajmëruar ekskluzivisht për RTK-në ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

“Fatkeqësisht po them se kjo marrëveshje është bërë në fund të vitit 2006, edhe njihet me preambulën UNMIK, ndoshta është institucioni i vetëm që nuk njihet si Kosovë apo Republika e Kosovës. Ne jemi të ftuar me datën 23 të këtij muaji të marrim pjesë në organizimin e tryezës së CEFTA-s. Natyrisht aty kemi mi ngrit disa çështje. Kemi kërku edhe nga zyra e BE-së që të bëhet presion ndaj UNMIK-ut që të heq dorë nga preambula dhe të njihemi si Republika e Kosovës. Natyrisht është edhe një mundësi tjetër që të gjitha shtetet anëtare ta pranojnë Kosovën që të trajtohet e barabartë, përndryshe ndoshta do ta shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga CEFTA, nëse nuk marrin për bazë kërkesën tonë”, ka theksuar Bajram Hasani, ministër i tregtisë dhe Industrisë.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit, Ismet Mulaj, thotë se përveç aspektit politik e juridik edhe në atë ekonomik, marrëveshja e CEFTA-s është e pafavorshme për prodhuesit vendorë.

“Arsyet juridike duhet të shërbejnë për arsye ekonomike. Nisja e procedurave për dalje nga CEFTA ose rinegociim të pjesëmarrjes së Kosovës në CEFTA, është një proces 7 mujor dhe gjatë kësaj periudhe mund t’i krijohet një hapësirë biznesit prodhues. Të shohim mund të ketë marrëveshje bilaterale me secilin shtet, me ato shtete që ka përparësi sidomos me Shqipërinë apo me ndonjë vend që ka interes dhe produktet e saj janë më konkurruese mund të krijojë marrëveshje bilaterale, ndërsa me shtetet të cilat ka konkurrencë më të fuqishme që vijnë nga këto shtete mund të ketë vonesa deri te 7 mujori kur mund të finalizohet procesi juridik që Kosova merr pjesë si UNMIK”, ka theksuar Ismet Mulaj drejtor ekzekutiv i OAK-ut.

Përfaqësuesit e bizneseve vendore thonë se nuk janë të barabartë në raport me importet që vijnë nga vendet anëtare të CEFTA-s. Sipas tyre, disa vende subvencionojnë eksportin e tyre. Kjo bën që produktet e tyre të dalin në treg më lirë se produktet vendore, duke i dëmtuar prodhuesit vendorë.

 

http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=215909

Works with AZEXO page builder