OAK

MOS KONSTITUIMI I INSTITUCIONEVE, BËNË QË KOSOVA TË HUMB NË EKONOMI

Kosova po humb shumë në aspektin ekonomik për shkak të mos konstituimit të institucioneve qendrore pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se prioritet i qeverisë së re duhet të jenë ofertat konkrete për investime strategjike në sektorin e minierave dhe mineraleve, sektorin e energjisë, por edhe investimet tjera që e çojnë vendin drejt integrimeve evropiane.

Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë në fokus zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu thonë njohësit e çështjeve ekonomike. Ismet Mulaj, nga Oda e Afarizmit të Kosovës, është shprehur për Radio Kosovën se bizneseve në Kosovë u duhen reforma të reja strukturale. Sipas tij, prioriteti i parë  është që politikat fiskale të jenë në interes të biznesit vendor, të krijohet një balancë ndërmjet biznesit prodhues dhe atij importues.

“Qeveria e ardhshme të ketë në fokus ekonominë, sidomos të ketë ofertë konkrete për investime strategjike, është me shumë interes të përmirësohet furnizimi me energji elektrike për bizneset, për shkak se është një nga faktorët kyçë që po dëmton të bërit biznes në Kosovë, kësaj i shtohet edhe problemi me barriera të shumta që po i krijojnë vendet fqinje biznesit prodhues të Kosovës”.

Nga Aleanca Kosovare e Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se edhe përkundër përpjekjeve kozmetike të institucioneve shtetërore për të ringjallur zhvillimin ekonomik të vendit, nuk kanë rezultuar që të kemi zhvillim të hovshëm në punësim prodhim dhe eksport.

“Si prioritet i institucioneve të reja të Kosovës, të cilat priten këto ditë të themelohen, duhet të jetë zhvillimi ekonomik i vendit e sidomos i sektorëve të pazhvilluar, dhe këta janë sektori i minierës dhe mineraleve, sektori i energjisë. Dhe prioritet i tretë, rruga drejt integrimeve evropiane, për të cilën pothuajse Kosova ka ngecë.”

Ndërsa drejtori i kompanisë “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, tha se  qeveria e re e Kosovës duhet të ketë parasysh zhvillimin e sektorit privat, i cili është i lidhur ngushtë me zhvillimin e çdo vendi.

“Pa një cilësi më të mirë të arsimit nuk mund të ketë zhvillim të biznesit apo ndërmarrësish, duhet të jetë prioritet edhe forcimi i sundimit të ligjit dhe  promovimi apo nxitja e investimeve përmes partneritetit publiko-privat.”

Drejtori i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim ‘Riinvest’, Muhamet Mustafa, konsideron se prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës duhet të jenë: zbatimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, si dhe efiçienca e gjykatave në zgjidhjen e kontesteve biznesore.

Më pas ai shton, se prioritet duhet të jetë edhe  mbrojtja e kontratave dhe rritja e sigurisë se bizneseve se ligji do të zbatohet dhe do të sigurohet barazia në treg dhe prokurim, zbatimi i pakos fiskale një dhe dy, dhe zbatimi Ligjit mbi investimet strategjike.

 

Autor: Arbenita Marmullaku

http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=195720

Works with AZEXO page builder