Prodhuesit e betonit
sot në një konferencë për media të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës
kanë shprehur shqetësimet e tyre ndaj prodhuesit të vetëm të çimentos në
Kosovë, “Sharrcem” në lidhje me rritjen e çmimit të çimentos brenda 10
muajve për rreth 24.4%.
Përfaqësuesi i sektorit të ndërtimit të në Odën e Afarizmit të Kosovës Naim
Mahmutaj, tha se kjo rritje e çmimit është bërë pa një paralajmërim paraprak,
dhe në kohë shumë të shkurtë gjë që nuk i ka lejuar bizneset të marrin masa .
“Përkundër njoftimeve që iu kanë bërë, kërkesat për njoftim për këtë rritje,
Sharrcem ka bërë një shkresë të shkurtë në të cilën kanë njoftuar se për shkak
të politikave e të veta të zhvillimit të afarizmit të vet këto ngritje i kanë
bërë pa më shumë detaje”, është shprehur Mahmutaj.
Tutje ai ka përmendur edhe pasojat tjera që u ka shkaktuar prodhuesve të
betonit kjo rritje.
“Kjo rritje i vendos bizneset në pozitë të pa favorshme ndaj klientëve të tyre.
Këto ngritje pa paralajmërim godasin drejpërdrejt prodhuesit dhe klientët e
tyre por pasojat shkojnë deri te qytetari i Kosovës”, është shprehur Mahmutaj
Ndërkaq prodhuesi tjetër i betonit Bujar Avdyli tha se kjo ngritje e çmimeve
nuk do të prekë vetëm prodhuesit por do të ndikojë në shtrenjtimin e çmimit të
betonit që do të jetë vetëm në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Binzeset të cilat furnizohen me lëndë të parë nga Sharrcem kanë theksuar se
çmimi i çimentos para muajit mars të vitit 2019 ka qenë 60.89 euro, ndërsa pas
kësaj date është rritur në 68.44 euro. Nëntë muaj më pas çmimi është ngritu
prapë duke kaluar në shifrën 75.75euro.
Ndryshe, kohë më parë Oda e Afarizmit të Kosovës kishte bërë kërkesë tek
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të parandalojë që gjëra të tilla të mos
ndodhin.
Oda e Afarizmit po ashtu i ka dërguar kërkesë kompanisë “Sharrcem”, për ta
shpjeguar këtë rritje të çmimit por ata janë shprehur se ky vendim është marrë
duke u bazuar në ekonominë e tregut të lirë.
OAK gjithashtu ka bërë thirrje që të angazhohen edhe organet e shtetit si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ta verifikojnë cilësinë e betonit po edhe të verifikohet e gjithë gjendja.