Ligji për ATK-në, evazioni fiskal, e qasja e inspektorëve të ATK-së ishin disa nga temat e takimit të përbashkët që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Administatës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj.

Fokus kryesor i këtij takimi ishin diskutimi për sfidat që po hasin bizneset e sektorëve të ndryshme nga vendi ynë në raport me institucionin e Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, falënderoi drejtorin Murtezaj që në vazhdimësi përgjigjet pozitivisht ftesave dhe kërkesave që OAK deri më tani ka deleguar tek ATK.

Sipas Krasniqit, qëllimi kryesor është që Administrata Tatimore e Kosovës të konsiderohet si shtyllë për të hyrat buxhetore, ndërsa theksoi që ankesë kryesore e bizneseve konsiderohet qasja e dyfishtë që hasin gjatë bashkëpunimit me zyrtarët e ATK-së kjo sepse në Zyret Qëndrore zakonisht haset më shumë mirëkuptim, ndërsa e kundërta ndodhë me inspektorët e terenit.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, theksoi që mirëpret takimet e tilla pasi që u mundësojnë bizneseve të informohen nga afër me çështjet për të cilat ato kanë interes, por njëkohësisht edhe institucioni të vlerësoj vetën në raport me bizneset dhe përmirësimet që duhen bërë.

Sipas Murtezaj, ky 5 mujor ka qenë tejet pozitiv për ATK-në sepse janë siguruar të hyra prej më shumë se 13% nga ajo e planifikuar si dhe gjatë të njejtës periudhë është rritur për afër 10% numri i bizneseve që paguajnë deklarimet.

Administrata Tatimore e Kosovës është në periudhë reformuese, kjo pasi që në vazhdimësi po tenton të avancoj shërbimet që ofron si dhe të ngris kapacitetin e punonjësve, e gjithashtu po krijon mekanizma për verifikim të punëve, gjë e cila pamundëson çdo keqpërdorim eventual, shtoi Murtezaj.

Ndërsa, Melisa Sharku, si kryesuese e grupit punues në kuadër të OAK-së për çështje financiare shtoi që për bizneset është shumë e nevojshme të shkurtohet periudha e kthimit prapa të kontrollave nga 6 vite në 4 vite, ndëshkimi për vonesa të bëhet në baza ditore e jo mujore siç është aktualisht, të mundësohen korigjimet, si dhe deklarimet e tvsh-së të bëhen çdo tre muaj.

Anëtari i bordit, Shyqiri Bytyqi theksoi që është mëse e nevojshme të bëhet diferencimi i bizneseve serioze, të njihen me ligj situatat e vështira financiare e për të njejtat të lejohet që paraprakisht të krijohen marrëveshje me ATK-në e gjithashtu të bëhen ndryshime në periudhën e deklarimeve nga ato mujore në tre mujore sepse do të ndikoj në rrjedhën e parasë, pasi që aktualisht bizneset paguajnë TVSH-në për mjete të cilat jo domosdoshmërishtë menjëherë inkasohen.

Gjatë takimit ishte edhe pjesa e hapur e diskutimit, ku bizneset parashtruan sfidat, idetë dhe çështjet me interes për ato, e në të cilat pranuan përgjigje konkrete nga Drejtori Murtezaj.

Ky takim ishte në kuadër të takimeve të përbashkëta që OAK po organizon për bizneset anëtare me përfaqësues të Institucioneve, me qëllim të vetëm lehtësimin e komunikimit dhe adresimin e çështjeve me interes për këta të fundit.