Diskutimi lidhur me Koncept Dokumentin e Rishikimit të Politikave Tatimore, ishte qellimi kryesor i takimit të përbashkët me bizneset anëtare të cilat dhanë mendimin e tyre dhe shqetësimet, të realizuar në zyret e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK).


Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, theksoi që oda ka krijuar një grup punues, qëllim kryesor i të cilit është trajtimi i çështjeve tatimore si dhe delegimi për zgjidhje tek institucionet.
Ndërsa, anëtari i bordit Shyqiri Bytyqi theksoi që përmes Rishikimit të Koncept Dokumentit për Politika Fiskale pritet të bëhen ndryshime në Ligjin për ATK-në, Doganën, TAP, TAK, TVSH etj.


Ndër pikat më problematike të Koncept Dokumentit u konsiderua rritja e taksave në pagat më të larta, kufizimi i pranimit të shpenzimeve të interesit në vetëm 30%, kufizimi i njohjes së humbjes kapitale vjetore në vetëm 400€ e heqja e njohjes shpenzimeve të donacioneve dhe sponsorizimeve.
Nga bizneset u kërkua që të lobohet për ndryshim të publikimit të pasqyrave financiare në ARBK, pasi që sipas Standardeve Ndërkombëtare lejohet vetëm për bizneset që ushtrojnë veprimtari me interes publik, ndërsa tek bizneset tjera me ligj është i ndaluar publikimi i të njejtave.
Arsye shtesë për ndalim të publikimit të pasqyrave financiare u konsiderua edhe prishja e konkurencës, sepse kështu publikohen informata te brendshme të bizneseve.