Me qëllim të diskutimit rreth mundësive të bashkëpunimit midis firmave Kosovare dhe atyre Italiane,  në Tiranë u mbajt një takim mjaft i frytshëm midis bordit drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe drejtoreshës së Italian Trade Agency (ITA) Znj. Franceska Mondello.

Ndër të tjera, gjatë këtij takimi Drejtoresha Mondello deklaroi se Italian Trade Agency (ITA) shpreh gatishmërinë e saj që të ofrojë përkrahje për rritjen e bashkëpunimit midis bizneseve Italiane dhe atyre Kosovare.

Ndërsa duke marrë parasysh faktin që ende jemi në kushtet e pandemisë globale, si fillim u konsiderua si formë më e përshtatshme organizimi i webinareve informuese dhe edukuese për të dyja palët, në mënyrë që praktikisht bizneset të lidhen ndërmjet vete.

Gjithashtu, Mondello mori përsipër që kompanive Italiane përveç tregut Shqiptar t’i propozojë edhe atë Kosovar. Në këtë kuadër, palët theksuan që mund të organizohen dhe suportohen trajnime për aftësimin e punonjësve sipas kërkesave të tregut dhe sektorëve potencial për investime.

Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi nga ana tjetër, i paraqiti ITA-së sektorët në të cilët Kosova mund të jap kontributin më të madh, duke përfshirë ata më me potencial si: prodhimi, minierat dhe mineralet, ICT, bujqësia, energia e ripërtëritshme etj.

Në përfundim të këtij takimi, palët u dakorduan që të vendosen linjat e bashkëpunimit midis OAK-së dhe ITA-së dhe se në vazhdim OAK do të informojë ITA-në për mundësitë praktike të investimit në sektorët më me potencial në Kosovë, duke përdorur broshura e mënyra të ndryshme të paraqitjes së sektorëve dhe kompanive që përbëjnë potencial investimi në vend.

One Response

Comments are closed.