Komunikimi i drejtëpërdrejtë mes bizneseve dhe Komunës, e synimi për përkrahje më të madhe për sektorin privat, ishte arsyeja kryesore e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit, e cila u konkretizua me nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit afatgjatë mes të dyja palëve.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, theksoi që është tejet i nevojshëm thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve, pasi që në këtë mënyrë do të ndikohet edhe në marrjen e vendimeve më të mira e të koordinuara me këta të fundit. Ai shtoi që është shumë e nevojshme përkrahja e nivelit lokal dhe atij qendror për t’i tejkaluar situatën me pandeminë dhe krizën globale, me të cilën po ballafaqohemi.

Nga ana tjetër, Kryetari Alban Hyseni, theksoi që bashkëpunimi i Komunës me bizneset është shumë i rëndësishëm, pasi që Komuna e Gjilanit ofron potencial shumë të madh të zhvillimit falë kapaciteteve që posedon. Mungesa e strategjive të mirëfillta për zhvillimin e biznesit ka bërë që këto potenciale deri më tani të mos jenë të shfrytëzuara mjaftueshëm.

Ai theksoi që prioritet i Komunës së Gjilanit është krijimi i Zonës Ekonomike, si projekt kapital i cili do të krijonte lehtësira për bizneset dhe kushte më të mira.

Kryetari Hyseni, shtoi që ekziston një hendek në mes të nevojave të tregut të punës dhe shkollimit profesional, duke e konsideruar shumë të rëndësishme ngushtimin e kësaj hapësire përmes ofrimit të mundësive të kryerjes së praktikave të nxënesve tek bizneset e odës, me qëllim të përgatitjes për tregun e punës.

Në pjesën e diskutimit të hapur me përfaqësuesit e bizneseve, disa ndër çështjet e ngritura ishin: problemet me inspektoratin e punës dhe nevoja për zhvillim dhe trajnim të tyre, mungesa e fuqisë punëtorë të kualifikuar, rëndësia e përkrahjes së bizneseve në aplikimet në grante përmes asistimit të Komunës, nevoja e krijimit të zonës ekonomike në këtë komuneë, pasi që ka një kohë të gjatë që diskutohet mirëpo nuk është marrë asnjë hap konkret si dhe kosto shumë e lartë për sigurimin e hapësirave për rritje dhe zgjerim të kapaciteteve ekzistuese.

OAK falënderon kryetarin Hyseni për shprehjen e vullnetit për rritjen e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit dhe përkrahjen përmes aftësimit profesional, ndërsa bizneset e falënderuan dhe kërkuan përkrahje në përpilim te projekteve ashtu qe perfitues te jene bizneset reale.

Në fund të këtij takimi u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit mes OAK dhe Komunës së Gjilanit, me qëllim të ofrimit të mundësive të kryerjes së praktikave profesionale për nxënësit e shkollave të mesme tek bizneset anëtare në odë.

OAK do të vazhdoj të rris komunikimin edhe me Komunat e tjera, ashtu që të ndikoj në ngritjen e komunikimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendor.