Me qëllim të promovimit të kompanive anëtare dhe zhvillimin e aktiviteteve afariste, turistike dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve, Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Organizata e Turizmit në Ulqin kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit.

Përmes këtij memorandumi të dy palët u dakorduan që ka interes të përbashkët në arritje të bashkëpunimit në mes të bizneseve jashtë kufijve, prandaj edhe rritja e tregjeve të kompanive anëtare të palëve është nevojë dhe kërkesë e vazhdueshme. Andaj, në përputhje me këtë qëllim palët u dakorduan që bashkëpunimi i tyre të përfshijë komunikimin efektiv për përcaktimin e mënyrave të bashkëpunimit, shkëmbimin e të dhënave dhe dokumentacionit që do ndihmojnë organizimet e përbashkëta promovuese, planifikimin dhe organizimin e ngjarjeve, tryezave të rrumbullakëta, konferencave dhe shkëmbim të përvojave në lidhje me të bërit biznes, nxitje të bashkëpunimit tregtar të kompanive anëtare përmes korrespondencës dhe afrimit të kompanive në sferat e biznesit ku operojnë anëtarët e të zhvillojnë strategji për qasje në punë dhe bashkëpunim në të ardhmen.

Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi Organizatën e Turizmit në Ulqin për pritjen dhe uroi që Ulqini të ruaj edhe më tej kulturën e ndërtuar ndër vite për mikëpritjen që ofron, duke zënë kështu një vend shumë të rëndësishëm për Kosovën.  Rritja e bashkëpunimit jo vetëm në fushën turistike por edhe në fushat e tjera me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke ftuar që edhe Ulqinakët të vijnë në Kosovë e Kosova të vazhdojë të vizitojë Ulqinin, ishin cështjet që u theksuan me rastin e nënshkrimit të memorandumit. 

Krasniqi theksoi që aktualisht është e rëndësishme që sezona turistike prej 40 ditëve të rritet në 120 ditë, sepse edhe muajt e tjerë jashtë sezonës zyrtare vizitohen nga turistët.

Drejtori i Organizatës së Turizmit në Ulqin Gzim Hajdinaga iu uroi mirëseardhje përfaqësuesve të OAK-së në qytetin e Ulqinit, duke u shprehur se janë të nderuar si organizatë turistike që të nënshkruhet ky memorandum, duke thelluar kështu edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Ulqinit. Me këtë MOU i kemi vënë disa pika në fushën e turizmit ku flitet qartë për takime të ndersjellta, shkëmbim të përvojave njëri me tjetrin me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të biznesit mes të dyja palëve, përfundoi Hajdinaga.

Hajdinaga uroi që ky të jetë vetëm fillimi i një sezone të mirë për Ulqinin duke dhënë kontributin e saj në këtë drejtim.