OAK e fokusuar në zgjidhjen e problemeve të bizneseve

OAK kërkon nga ARBK që të freskojë të dhënat e bizneseve që kanë të bëjnë me ndërrimin e njësisë, ndërrimin e pronarit, adresën apo diçka të ngjashme, sepse momentalisht duhet të bëhet kërkesë e veçantë në ATK për të futur këto ndryshime, u tha ndër të tjera në takimin e drejtuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Drejtorinë e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë (ARBK) z. Gazmend Mejzini.

Drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës u pritën në takim nga Drejtori i Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë (ARBK) z. Gazmend Mejzini.

Gjatë takimit u diskutua për të arriturat në mjedisin e të bërit biznes, procedurat e shkurtuara të regjistrimit të bizneseve, mundësinë e regjistrimit online, mundësinë e pajisjes më një ID unike për secilin biznes dhe integrimin e sistemit të regjistrimit të biznesit me Administratën Tatimore të Kosovës gjë që ka rezultuar me zvogëlim të procedurave burokratike dhe rritje të transparencës.

“Banka Botërore është ajo e cila e bënë vlerësimin e ambientit të të bërit biznes duke u bazuar në 10 indikatorë: Kosova nga vendi 136 sa ishte në vitin 2011, pas reformave dhe ndryshimeve të bëra, vitin e kaluar është ranguar në pozitën e 13-të, falë punës dhe angazhimit shumë të madh”, theksoi z. Gazmend Mejzini.

Nga ana tjetër u tha se Oda është e fokusuar në zgjidhjen e problemeve individuale të bizneseve dhe këtë kauzë do ta përcjellë deri në fund.

“Bashkëpunimi i Odës me ARBK është shumë i rëndësishëm dhe lehtësirat që janë bërë në fushën e të bërit biznes kanë sjell ndryshime të mëdha në këtë drejtim. MTI ka bërë hapa shumë të rëndësishëm për bizneset dhe kjo rezulton me pozitivitet”, theksoi anëtari i Odës Hysni Zogaj.

Në takim ishte i pranishëm edhe bashkëpunëtori i OAK z.Kushtrim Ajvazi i cili përgëzoi ARBK-në për punën e bërë dhe si shqetësim ngriti çështjen e freskimit të të dhënave të biznesit që kanë të bëjnë me ndërrimin e njësisë, ndërrimin e pronarit, adresën apo diçka të ngjashme, ku duhet të bëhet kërkesë e veçantë në ATK për të futur këto ndryshime.

Ajvazi kërkoi mundësinë e transferimit të këtyre ndryshimeve në ATK dhe të mos ketë nevojë për këto kërkesa të veçanta.

Drejtori z. Mejzini falënderoj Odën për këtë vizitë dhe e ftoj atë për bashkëpunim dhe t’i drejtohet për çdo gjë që ka nevojë lidhur me informatat rreth bizneseve, sektorëve të ndryshëm dhe se ARBK është e gatshme për bashkëpunim në çdo gjë që mund të bëjë për mbrojtjen dhe shërbimin në favor të bizneseve.

Prishtinë, 13.06.2017

Zyra për Informim

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) – Prishtinë
Adresa: Rr. Pashko Vasa nr. 59
Tel: 038609212
E-mail: odaeafarizmit@gmail.com
Facebook: https://www.facebook.com/odaeafarizmittekosoves/
Prishtinë, 13.06.2017