Oda e Afarizmit të Kosovës është fituese e projektit rajonal, me ç’rast ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me Western Balkans Fund, duke u bërë kështu njëra ndër 30 projektet fituese të thirrjes së katërt të Fondit të Ballkanit Perëndimor, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes instrumentit IPA.

Ky projekt ka për synim që të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e kohezionit rajonal në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të rritjes së performancës sipërmarrëse.

Kjo nismë e përbashkët synon të rrisë bashkëpunimin rajonal, të forcojë kohezionin rajonal përmes bashkëpunimit ekonomik në rajonin e WB6.

Nëpërmjet kësaj iniciative ne synojmë të forcojmë potencialet rajonale të investimeve përmes forcimit të lidhjeve me tregjet, rrjetëzimit, rritjen e partnerëve të biznesit në Ballkanin Perëndimor dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojave midis odave dhe bizneseve.

Për të përmbushur plotësisht objektivat e projektit, partnerët do të zbatojnë një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin shkëmbimin, bashkëpunimin dhe aktivitetet e përbashkëta.

OAK këtë projekt do ta implementojë në partneritet me Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe Odën Ekonomike të Malit të Zi, të cilat do të organizojnë aktivitete që ofrojnë mbështetje më të ngushtë në lidhjen e bizneseve brenda rajonit.

Aktivitetet janë të përshtatura për të fuqizuar dhe inkurajuar sektorin e biznesit, për të zgjeruar tregun e tyre në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe për të krijuar një bazë solide të përbashkët e për të punuar së bashku terma afatshkurtër dhe afatgjatë.

OAK falënderon WBF që përmes këtij projekti përkrahë Kosovën në rritjen e mundësive të bashkëpunimit rajonal dhe eksportit në rajon.