Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës vizituan Shoqërinë Aksionare Trepça, meqë rast u pritën në takim nga U.D Kryeshefi Ekzekutiv Enes Muzaqi me bashkëpunëtor.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi nga afër se si kjo kompani po funksionon, problemet me të cilat po përballet dhe mundësitë që OAK të ofrojë përkrahje në këtë drejtim.
Gjatë këtij takimi u njoftuam nga Kryeshefi Enes Muzaqi për gjendjen dhe vështirësitë që Trepça po has si rrjedhojë e vjetërsimit të teknologjisë së përpunimit të flotacioneve e cila nuk është kompatibile me kohën, duke shkaktuar kështu shkallë të lartë të humbjeve me rreth 30% të sasisë.
Drejtori Muzaqi pasi bëri një përshkrim të punës dhe funksionimit të Trepçës aktualisht, ndër të tjera theksoi që prodhimi funksionon por jo sipas planifikimit, duke shtuar që nevojitet investim urgjent në sektor të caktuar të flotacioneve në mënyrë që proceset të digjitalizohen dhe të ulet shkalla enorme e humbjeve.
OAK ofroi përkrahje dhe mundësi bashkëpunimi në gjetjen e investitorëve potencial, duke kërkuar që paraprakisht të përcjellet një përshkrim i gjendjes dhe nevojave që ka aktualisht Trepça.
OAK po ashtu kërkoi nga drejtori që të përgatitet një ofertë për bizneset që kanë interes për të investuar në këtë kompani e cila mund të prezentohet çoftë brenda vendit apo edhe jashtë.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi – kryetar i bordit, Arsim Selmonmusaj – nënkryetar, Diamant Elshani – sekretar, Hysni Zogaj – anëtar dhe Qëndresa Ibrahimi – koordinatore.