Gjykata komerciale dhe rritja e efikasitetit të gjyqësorit ishin disa ndër temat kryesore në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Zëvendësministrit të Drejtësisë Blerim Sallahu.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skender M Krasniqi, përgëzoi Zëvendësministrin Sallahu për pozitën, me bindjen që përmes bashkëpunimit të ndërsjelltë do të trajtohen dhe zgjidhen çështjet me interes për komunitetin e biznesit.

Ndër të tjera u theksua që kërkesë urgjente e bizneseve është krijimi i Gjykatës Komerciale, për të cilën duhet që fillimisht duhet të merren parasysh rekomandimet e bizneseve e pastaj të kalojë në Kuvend për miratim, sepse vonesat e trajtimit të lëndëve me të cilat aktualisht po përballen bizneset përveç që po shkatërrojnë bizneset aktuale, gjithashtu po largojnë edhe investitorët e huaj.Krasniqi tutje shtoi që është mëse e nevojshme të krijohet një komisioni profesional brenda Kuvendit të Kosovës, i cili do të kujdeset për harmonizimin e draft ligjeve para votimit në Kuvend.

Ndërsa Sekretari i bordit të OAK – së Diamant Elshani kërkoi që të rritet efikasiteti i gjyqësorit, ashtu që lëndët ekonomike të trajtohen me prioritet, e gjithashtu të rritet numri i gjyqtarëve të specializuar dhe të rritet efikasiteti i përmbaruesve.

Zëvendësministri Sallahu përgëzoi OAK – në për punën e realizuar, duke shtuar që janë të hapur për bashkëpunim, me theks të veçantë tek krijimi i Gjykatës Komerciale, pasi që ky ashtualisht është një ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.

Shpërndaje: