OAK kërkoi nga Komisioni përshpejtim të aprovimit të shumë ligjeve dhe ndihmë urgjente si rezultat i gjendjes së rëndë në të cilën gjenden bizneset aktualisht

Fokus i takimit ishte diskutimi i përbashkët lidhur me barrierat me të cilat bizneset po ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, me qëllim që së bashku të trajtohen dhe të ndërmerren iniciativa për përmirësimin e infrastrukturës ligjore e cila do të mundësoj eliminimin e këtyre të fundit.

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) në përbërje me Skënder Krasniqi Kryetar, Arsim Selmonmusaj Nënkryetar, Qëndresa Ibrahimi Koordinatore dhe Gramos Zekaj Zyrtar Ligjor, u pritën në takim nga anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të drejtuar nga kryesuesi Ferhat Shala dhe anëtarët Mimoza Kusari Lila, Pal Lekaj, Driton Hyseni, Jeta Statovci dhe Valentina Bunjaku Rexhepi.

Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi duke falënderuar Kryesuesin dhe anëtarët e Komisionit për gatishmërinë për takim, theksoi që është e rëndësishme që të rrisim bashkëpunimin mes sektorit privat dhe komisioneve parlamentare në mënyrë që të shkëmbehen idetë dhe përvojat për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.

Sipas Krasniqit, aktualisht është rënduar situata e të bërit biznes si rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha dhe rritjes enorme të çmimeve, prandaj është mëse e nevojshme të bëhen ndërhyrje të shpejta nga Institucionet vendore përmes mekanizmave adekuat dhe politikave fiskale.

Disa ndër propozimet e OAK-së, e të cilat nëse trajtohen së bashku me Komisionin do të zgjidheshin shumë më lehtë, përfshijnë funksionalizimin e Ligjit për Tregti të Brendshme përmes së cilit do të rregullohej çështja e të bërit biznes në vend, nevoja e menjëherëshme për krijim të ofertës së të bërit biznes në Kosovë, ZRRE të blerjë energjinë solare të prodhuar nga bizneset dhe të vendoset një çmim për këtë, eliminimi i pengesave për investime në sektorin e minierave që vijnë si rezultat i Udhëzimeve Administrative e të ngjashme, ndryshim plotësimet në legjislacion, përshkallëzimi i TVSH-së, luftimi i informalitetit në vend, sistemi dual i arsimit duke përgatitur kuadro në përputhje me nevojat e tregut, subvencionimi i produkteve vendore, rritja e punësimit e mirëqenies në përgjithësi.

Kryesuesi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferhat Shala u uroi mirëseardhje përfaqëuesve të OAK-së duke i falënderuar për elaborimin dhe identifikimin e këtyre sfidave. Shala konsideroi që është mëse e nevojshme të rritet dinamika e bashkëpunimit dhe shprehu vullnetin e Komisionit për të pranuar sugjerimet, propozimet dhe vërejtjet për përmirësim të legjislacionit.

Anëtari i Komisionit Pal Lekaj vlerësoi çështjet e ngritura nga OAK duke i cilësuar përmbajësore dhe në favor të zgjidhjeve. Lekaj theksoi që situata me ngritjen enorme të cmimeve ka rritur edhe shportën e konsumatorit duke e rënduar edhe më shumë situatën, andaj shumë ligje duhet të amandamentohen, të vendosen kritere strikte për hapjen e bizneseve, dhe të mendojmë për strukturimin e tregtisë së brendshme.

Anëtarja e Komisionit Mimoza Kusari Lila falënderoi bashkëpunëtorët e OAK-së për konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në komision e dëgjime publike duke ofruar propozime e rekomandime konkrete. Kusari Lila theksoi që si komision mund të kontribuojnë tek institucionet të cilat raportojnë në këtë komision siç është rasti me ZRRE dhe KPMM.

Komisioni vlerësoi OAK-në për angazhimin e vazhdueshëm në dëgjimet publike përmes përcjelljes së komenteve dhe rekomandimeve konkrete e përmbajtësore si dhe shtuan që do të bëjnë ndikim tek institucionet të cilat raportojnë tek ata që të bëhen ndryshimet nevojshme.

Zëri i bizneseve në vend, Oda e Afrizmit të Kosovës përmes takimeve të tilla ka për synim eliminimin e barrierave që hasin bizneset gjatë operimit.