OAK kërkon që arsimi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Shyqiri Bytyqi priti në takim një delegacion të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), të kryesuar nga kryetari i bordit z. Skënder Krasniqi, drejtorin ekzekutiv z. Ismet Mulaj, antarët e bordit z.Hysni Zogaj dhe z. Hasan Gigollaj.
Fillimisht z. Krasniqi e uroi Ministrin Byqyqi për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në punën e tij. Gjatë këtij takimi, si tema diskutimi u ngritën disa çështje shumë me rëndësi në fushën e arsimit në vendin tonë, e që kanë të bëjnë me: zhvillimin e kuadrove për të cilat ka nevojë biznesi, ku në këtë mënyrë të orientohemi më tepër kah shkollat profesionale dhe profilet të cilat janë të nevojshme për tregun e punës, duke krijuar kështu mundësi që me përfundimin e këtyre shkollave të kemi numër të nevojshëm të stafit të përgatitur, e të sigurohen vendet e punës në përputhje me nevojat e tregut, çështja e krijimit të programeve të bashkëpunimit me bizneset me qëllim të finalizimit të praktikës përkrah anës teorike të studentëve, si dhe akreditimi i institucioneve që kanë programe trajnimi. Duke u ballafaquar në kontinuitet me probleme të shumta, ka bërë që të rinjët të mos jenë të kënaqur me zhvillimet që po ndodhin, dhe të kërkojnë alternativa për të dalë jashtë vendit, gjë që është shqetësuese për ne.

Po ashtu, anëtari i Bordit z. Hysni Zogaj vuri në pah edhe disa çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me faktin se asnjë mësues nuk është i licencuar, kurikulat e reja të cilat nuk inkorporohen me librat e programet e vjetra që ekzistojnë, si dhe mbyllja e disa shkollave Model që kanë qenë të suksesshme në Komunën e Prishtinës.

Ministri Bytyqi theksoi se shqetësimet e ngritura në takim, lidhen me programin e tij dhe tash që janë në pozitë e kanë më të lehtë qasjen ndaj ndryshimeve. “Jemi të vetëdijshëm që bizneset e kanë problemin e kudarove dhe duhet të paguajnë ekspertë të huaj e me kosto shumë të lartë. Prandaj për neve është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me ju dhe të gjithë ata që janë të gatshëm të kontribuojnë, për të sjellë modele për ndryshim dhe të avancojmë zhvillimin profesional” –theksoi z. Bytyqi. Po ashtu edhe sa i përket çështjes së mësimit tërë ditor, Ministri tha se është në programin e tij qeverisës, por ka probleme me infrastrukturë, prandaj janë të fokusuar që fillimisht të vlerësohet saktësisht sa shkolla mungojnë dhe sa kushton realizimi i projektit në tërësi, në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e cilësisë.

Në përfundim të këtij takimi Ministri theksoi se MASHT është duke e bërë një kampanjë, në mënyrë që të bëjnë orientimin në ato profile ku kërkesat janë më të mëdha dhe këtu do të ndihmojnë shumë Odat, duke e ftuar OAK-un e cila është më afër biznesit, që të jetë pjesë e kësaj kampanje në mënyrë që t’i prezantojë kërkesat e saj.